Published on 31-07-2017

Katari përgënjeshtron vërtetësinë e nëntë korridoreve ajrore

Autoriteti i Aviacionit Civil të Katarit ka përgënjeshtruar deklaratën se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti kanë përcaktuar korridore për situata të jashtëzakonshme të cilat mund të përdoren nga avionët e Katarit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Lajmi i publikuar nga agjencia e lajmeve të Arabisë Saudite SPA se shtetet që kanë bllokuar Katarin kanë caktuar korridore ajrore emergjente për avionët e Katarit nuk paraqet të vërtetën. Këto shtete nuk kanë bërë asnjë njoftim lidhur me aviacionin, ashtu siç është në praktikat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO)”, thuhet në deklaratën e Autoritetit të Aviacionit Civil të Katarit në rrjetin social Twitter.

Në deklaratë bëhet thirrje para mbledhjes së këshillit të ICAO-s që do të mbahet sot në Montreal të Kanadasë, që lajmet e këtilla të pavërteta të mos përhapen.

Ndryshe, reagimi vjen pasi më herët SPA njoftoi se katër vendet arabe që kanë ndërprerë lidhjet me Katarin në fillim të qershorit kanë caktuar nëntë korridore ajrore që do të përdorin avionët e Katarit në situata të jashtëzakonshme, të cilat do të zbatohen nga 1 gushti.

Kriza mes Katarit dhe disa vendeve arabe filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me këtë vend, duke e akuzuar atë për mbështetje të tërrorizmit dhe ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Katër vendet Dohas i parashtruan një listë me 13 kërkesa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Katari i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka thënë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Enjoyed this video?
Katari përgënjeshtron vërtetësinë e nëntë korridoreve ajrore
"No Thanks. Please Close This Box!"