Basha: I kam treguar De Biasit se si luan Ventura

Published on 22-03-2017

basha

Njohuritë e Migjen Bashës për mënyrën se si interpreton lojën trajneri i Italisë, Xhampiero Ventura, mund të rezultojnë shumë të rëndësishme në takimin e të premtes. Mesfushori ka treguar sot në konferencë për shtyp se sa mirë e njeh teknikun që e ka drejtuar për disa vite te Torino dhe si këtë njohuri, ia ka përcjellë edhe De Biazit.

basha memushaj carcani

Për vitet te Torino në drejtimin e Venturës

“Sigurisht që fati im ishte se në momentin që mbërrita Te Torino, atje ishte edhe Ventura. Jemi ngjitur brenda një viti në Serinë A, pastaj në sezonin e parë dhe të dytë aty u kualifikuam në Ligën e Europës. Aty shihet puna shumë e mirë që ka bërë Ventura me lojtarë si unë, me Imobile, Darmian, të gjithë këta që i kam pasur bashkëlojtarë, është një trajner që na ka ndihmuar të gjithëve.

Ishim të gjithë lojtarë që para se të vinte Ventura, nuk kishim parë asnjëherë Serinë A, nuk kishim luajtur kurrë në Serinë A. Puna e tij bëri që të meritojmë Serinë A dhe të ngjitim Torinon në nivele shumë më të larta. Është diçka që ia kam borxh Venturës dhe dua ta falënderoj se kanë qenë disa vite shumë interesante për karrierën time”.

Për taktikat e Venturës

“E njoh shumë mirë, Ventura është një trajner që i pëlqen të sulmojë kundërshtarin, duhet të gjejmë guximin për të sulmuar edhe ne. Duhet të shohim edhe formacionin që do të përdorë Ventura se në Torino i ndërronim shpesh, nëse luhet me 4-4-2 i di disa lëvizje që i bënte me Torinon, por është një trajner që mund të ndryshojë pa probleme dhe gjen shumë zgjidhje që mund të na krijojnë probleme”.

basha

Nëse e ka pyetur apo jo De Biazi për Venturën

“Kemi biseduar, më ka pyetur disa gjëra, formacioni që kishim në Torino. Nëse është i njëjtë edhe të premten, lëvizjet i di dhe ia kam treguar. Por Ventura është një trajner që mund të lëvizë lojtarët, rreshtimet, lëvizjet dhe duhet kujdes gjithsesi, edhe pse unë jam munduar të ndihmoj kështu Shqipërinë”.

Për zhvillimin e ndeshjes në Palermo

“Nuk di a është penalizim apo e mirë për ne, pasi shumë shqiptarë do të jenë të pranishëm. Nëse ndeshja do të ishte afër Milanos e Torinos, do të kishte edhe më shumë tifozë. Por tifozët i kemi pasur kudo ndaj nuk është problem ku luajmë”.

Për kujdesin për të mos përsëritur gabimet

“Besoj se është normale, jo vetëm ne në mesfushë, por çdo lojtar i ekipit, në momentin kur ke përballë një ekip si Italinë, duhet kujdes nga të gjithë, janë të gjithë lojtarë shumë të fortë. Mesfusha, sidomos sulmi me Imobile e Beloti, po bëjnë shumë gola,. Duhet të sakrifikojmë, në shumë ndeshje kemi treguar se mund të mbrohemi shumë mirë dhe të kundërsulmojmë. Nëse duam të rrezikojmë Italinë, duhet të bëjmë atë që kemi bërë çdo herë”.

Për kohën e shkurtër në dispozicion për të përgatitur ndeshjen

“Pak a shumë programi është i njëjti, është e vërtetë që kemi shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjet. Por duhet të punojmë me atë program që kemi. Të mundohemi të bëjmë maksimumin, edhe herë të tjera ka ndodhur që kemi pasur pak kohë por kemi përgatitur ndeshjet shumë mirë”.

Atmosfera në kombëtare dhe prania e liderëve

“Atmosfera çdo herë ka qenë e mirë, si kemi humbur apo fituar. Mentaliteti është i njëjtë, edhe prurjet e reja janë stabilizuar pa probleme në kombëtare. Pra mentaliteti që kemi pasur për disa vite na ka bërë të shkojmë në Europian, na ka ndihmuar. Largimi i Canës është një humbje shumë e madhe por kemi lojtarë që kanë eksperiencë e personalitet të madh siç janë Agolli e Mavraj, edhe pse ai nuk është këtu. Jemi edhe unë apo Memushaj. Problemi është te mentaliteti, kur ke të duhurin nuk ka kurrfarë problemi”.

Nëse mund të luajnë ata që njohin më mirë kampionatin italian

“Të them të drejtën nuk besoj që trajneri të bazohet në këto aspekte. E para është forma dhe trajneri sheh formën. Taktika është e dyta. Pastaj pyetjen bëjani trajnerit se në çfarë aspekti bazohet ai për formacionin e të premtes”.

Për nervozizmin para ndeshjes

“Trajneri çdo herë është nervoz, është normale, jemi edhe ne lojtarët se kemi kualifikuese ndaj Italisë. Është e vërtetë që ka edhe një ndihmës të ri, por po bën punë të mirë. Të gjithë po sillemi mirë dhe me rëndësi është fakti që i gjithë grupi po e dëgjon”.

Enjoyed this video?
basha
"No Thanks. Please Close This Box!"