Çaprashitësit e çekmexheve pa dimi

Published on 21-02-2017

xhemal-ahmeti_1487671352-2210640

Shkruan:XHEMAL AHMETI

28 vjet dështim dhe asnjë mësim. Klasa politike në Maqedoni nëse nuk mëson edhe nga ky dështim i madh, kulturosfera shqiptare duhet t’i lajë duart nga kjo pjesë. Historia e një dështimi që prek edhe substancën e identitetit kulturor të një popullate

Rrokullimën e elektoratit shqipfolës nuk e parapanë (s’donin) vetëm numizmatët: ata që kryekauzë patën mbledhjen e «lirave» për «çekmexhetë» e nuseve të tyre. Tjerët e dinin se ai fragmentim, aq i rrëmetshëm s’kishte si të shkojë në favor të atyre që me nacionalizëm negativ duan t’u bëjnë ballë atyre që nacionalizimin pozitiv e besojnë fanatikisht të vetmin kanal nga ku mund të lundrojnë përpara. Shqiptarët ushtrojnë nacionalizëm negativ ngase u dogjën tash e tri dekada duke i lutur t’ua pranojnë elementet themelore të identitetit të tyre kulturor. Sllavët lëtyren vërtikshëm me nacionalizëm pozitiv, ngase nuk heqin dorë nga etnokracia, ruajtja me fundamentalizëm e shtetit monoetnik, të atij konstrukti imagjinar që nuk e kanë dhe duan ta bëjnë me çimento, kryqe megadimensionalë dhe relikte historish e kohësh që kur ato ishin këta s’ishin. Dhe e fitojnë betejën sahëre që mprehen shpatat e urrejtjes dhe intrigave.

Kur dështon kërkon mënyrat se si të mbijetosh. Martohesh me njërin apo tjetrin s’ka gjithaq rëndësi, pasi në fund, pas një modifikimi të kërkesave në atë mënyrë sa për t’u harruar nesër, do të lidhen kontrata për të vazhduar mynxyra e gjendjes së asaj kulturosfere shqiptare.

Adresat e dështimit deri para këtyre zgjedhjeve i dimë dhe janë katastrofale. Ato u bënë mundësia dhe shansi i këtij fragmentimi ku jo vetëm të drejtat e një kategorie qytetarësh janë në rrezik por edhe substanca e një identiteti të veçantë kulturor.

I.

Si ndihen votuesit e partisë «Besa» që u shitën si leckë, si zëra dhe fryma të pavlera, pa kushte tek një parti tjetër që medoemos duhet të garantojë të drejta dhe korrigjime të sistemit në favor të të diskriminuarve? Apo ndihen mirë ngase edhe çdo votues e dinë se partia, përkundër tellallëve të tyre për «shqiptarinë», ka një agjendë që s’ka të bëjë me të drejtat qytetare aty por me diçka tjetër – me pan-nacionalizimin gylenist apo atë erdoganesk? Si shpjegohen sot kungullacët mediatikë, autorët e këtyre qarqeve që mbanin ders duke i katapultuar këta si shpëtimtarë kundër kriminelëve, luftonin pra ata që gjoja shisnin për pare duke mbrojtur këta që dosido jo veten, por elektoratin e tyre e shesin hiç pa pare?

Tashmë u dëgjohen kukamat gjithandej: vetë përkrahësit e kësaj organizate pranojnë se me fanatizimin e njërit nga individët brenda familjeve ata kanë prishur rendet dhe hierarkitë familjare, kanë përçarë edhe në ato sfera ku njerëzit e atij nënqielli i konsiderojnë të shenjta. Në favor të çkahit? Për t’ia dhënë pa kushte votën një ateisti si Zaevi apo për t’i keqpërdorur si instrumente të një politike që s’ka të bëjë me realitetin aty?

Po Menduh Thaçi që ia dha «enklava» të tëra votuesish Besës dhe u mashtrua ashtu si mund të mashtrohet një që e meriton? E RDK që tërhiqet përhundësh si një marionetë pa zë ose regjistrohet gjithandej si Besa, kështu duke iu shkelur çdo rregull partneriteti e dinjiteti?

Dëmet dhe tarifat do të vijnë zgjedhjeve të ardhshme!

II.

Zgjedhjet e ardhshme do vijnë shpejtë. LSDM, intern nuk debaton se si të merret vesh me shqiptarët konform platformës së tyre, por si t’ua fusë atyre për të marrë pushtetin. Ashtu siç bëri Gruevski duke shpërndarë poste si Kazanova lule grave. Nëse partitë shqiptare për t’i ikur këtij tymi e myku të shkaktuar më shumë vetë do të hyjnë në qeveri  dhe shumë shpejtë do dalin të revoltuar prej saj – ngase masa e madhe e partisë së Zaevit ngul këmbë poaq në versionin monoetnik të shtetit. Këtë e dimë të gjithë – e heshtim nga lodhja që megjithatë të ndodhë diçka. Për shqiptarët nuk do ndodhë gjë e vyeshme.

Do të ndodhë ndryshe nëse partitë shqiptare mësojnë nga ky dezastër eklatant dhe përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale e vendore. Qoftë në shkuan në pushtet me këtë apo atë parti – s’ka rëndësi. Ata ndoshta kanë mësuar se si përballet e sfidohet nacionalizmi pozitiv i dy partive kryesore dhe bëjnë tavolinën dhe strategjinë me masa reciproke për të detyruar implementimin e shtetit qytetar. BE dhe NATO nuk duhet të kërkohen nga shqiptarët pa instalimin e këtij shteti qytetar, përndryshe çdo aksion në këtë drejtim është vetë-varrim!

III.

Pas zgjedhjeve të ardhshme RDK nuk do jetë më. Si patericë ajo nuk ka asnjë vlerë. Së paku do të shuhet dikur me një deputet të vetëm. Besa do të shkrihet në LSDM. E fundit nuk do të marrë më vota shqiptarësh. Ose do t’i marrë ato të religjiozëve që qysh tash janë rendit eskaldave të salloneve parapushtetore duke shërbyer për çdokë që t’i marr. PDSH do të kthehet me më shumë se tash. LRPDSH do të shtojë radhët dhe do të sfidojë të gjitha. Bashkimi i dy të parave do të ishte mrekullia e elektoratit të ndarë vetëm për shkak të liderëve të tyre. BDI nëse arrin të zëvendësoje komunarët e korruptuar, dyshen Mexhiti-Bejta do të mbetet forca kryesore ose e barabartë me tjerat. LR+PDSH dhe BDI do të jenë dy forcat kryesore, të cilat janë të detyruara të bëjnë çmos që të bashkohen në një platforme unike dhe të sigurojnë votën shqiptare maksimalisht, kështu duke u barazuar me opozitën e komunitetit tjetër, çka donë të thotë të jetë edhe një opozitë e sistemit në vete.

Gjitha këto përherë kanë qenë të mundshme. Mirëpo siç thuhet çdo e keqe e ka një të mirë: duhej të ndodhë ky fragmentim brutal që rrezikon madje edhe substancën e tyre në identitet e kulturë që të kuptojnë se ndryshe dhe kështu do të vazhdojnë tu bëhen tjerëve shkallë ngjitjeje pushtetit duke duruar peshën e çizmeve të tyre plotë baltë Strumice a Gjevgjelie dhe asgjë tjetër – si skllav interesash të huaja, pra.

Enjoyed this video?
xhemal-ahmeti_1487671352-2210640
"No Thanks. Please Close This Box!"