Duka: Tramezzani mund të jetë trajneri i ri, nuk ua mbyll derën shqiptarëve

Published on 15-06-2017

Tramezzani mund të jetë trajneri i ri, nuk ua mbyll derën shqiptarëve

Në konferencën e sotme për shtyp ku trajneri Gianni De Biasi dha dorëheqjen nga kombëtarja shqiptare, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, komentoi të ardhmen dhe zgjedhjen e trajnerit të ri, teksa nuk përjashtoi si mundësi Paolo Tramexanin, por as ndonjë trajner shqiptar.

 

Arsyeja e konferencës

“Arsyeja që jemi sot këtu është ajo që ju keni dëgjuar dje, deklarata e trajnerit që ka vendosur të mos vazhdojë kontratën pas këtij edicioni. Një vendim që personalisht më ka surprizuar. Më surprizoi fakti që u dha dje, por jo vendimi, sepse ka qenë një diskutim i përbashkët, edhe pse jo në të njëjtin mendim.

Mendimi i tij ishte që cikli ka mbaruar, por kjo nuk ishte bindja ime. Kam menduar se mund të ndryshojë mendim ndaj dhe nuk kemi bërë gjë publike, por dje në konferencë trajneri i qëndroi mendimit të tij. Bashkërisht menduam që ta bëjë zyrtare dhe ta komunikojë sot me ju.”

Dorëheqja e De Biasit

“Falënderoj misterin për kontributin që ka dhënë në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar, në të gjithë punën tonë në federatë. Jam disi jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar 5 vite punë të cilat kanë pasur gjithçka brenda. 5 vite me shumë emocione dhe me debate për zhvillim, me një sukses të pazakontë që për mua personalisht do lërë shenjë në jetë si një nga sukseset më të mëdha që kam përjetuar falë kontributit të tij.

Marrëdhëniet e FSHF-së dhe të miat personale kanë justifikuar atë që kam besuar që në ditën e parë. Kur e emëruam në krye, edhe pse kishim alternativa të tjera, besuam se mund të arrijmë diçka. Sot, megjithëse një dite jo shumë normale, jo shumë e mirë, ndahemi me një bindje pozitive që bëmë mirë, bëmë zgjedhjen e duhur. Megjithatë nuk ndahemi me mendim të përbashkët, ua thashë që në fillim të konferencës.”

Negociatat e kontratës

“Negociatat për kontratë dëmtojnë, në asnjë rast nuk ka qenë mendimi im të mos vazhdojmë më tej. Nuk mund të them asnjë lloj konkluzioni përveçse besimit të patundur që De Biazi është trajneri më i mirë për mua i kombëtares. Trajneri që ka arritur rezultatin më të mirë dhe suksesin më të madh të kombëtares. Për këtë dua ta falënderoj. Nga pikëpamja humane, miqësore, nuk kam humbur asgjë, sepse miqësia do të vazhdojë. Raportin zyrtar e kanë cënuar debatet e punës.

Raporti human do të jetë më i mirë. Njohja jonë është e tillë që ta di se të njëjtën monedhë do të marr dhe nga misteri. Kam qenë i emocionuar që dje sepse vendimi për t’u ndërprerë që tani nuk ishte konsoliduar, por mendimi im është që të shohim bashkërisht për të ardhmen. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj, në emër të ekipit, në emër të të gjithëve dhe t’i uroj vetëm të mira në jetë, suksese profesionale por më kryesorja, shëndet për misterin dhe familjen e tij. Jam i sigurt që nuk do të humbë lidhjet me shqiptarët.”

Pika e thyerjes

“Nuk kam diskutuar me misterin që para Luksemburgut. Nuk kam menduar në asnjë rast për një largim të tillë. Kam vlerësuar pozitivisht punën e misterit. Patjetër kam pasur vërejtje, por asnjëherë nuk kam menduar që duhet të largohet apo ta lërë këtu. Është vendimi i misterit dhe nuk është i përbashkët me mendimin tim që cikli ka mbaruar.”

Nëse largohet se ka oferta të tjera

“Trajneri doli dje në konferencë për të folur për rezultatin, ekipin. Unë nuk e dija që do të thoshte që do largohet nga Shqipëria, edhe pse ishte diskutim i bërë mes nesh. Nuk e dija që do e bënte dje, por meqë e deklaroi, sot e zyrtarizuam.

Nuk ka të bëjë me ndonjë ofertë dhe jam i bindur për atë që them sepse pavarësisht dyshimeve, apo përgjigjes me mërzi të trajnerit, e njoh mirë që nëse do kishte diçka të tillë do më thoshte. Marrëdhëniet kanë qenë të tilla dhe i kam thënë që nëse Federata do të t’i cënonte karrierën, atëherë mund të largohej, ndaj ai do ta thoshte.”

Lamtumirë me De Biazin apo ka mundësi rikthimi në të ardhmen?

“Lamtumirë nuk mund të konsiderohet, sepse ky lloj bashkëpunimi dhe tranzicioni do të bëhet bashkërisht, një lloj dorëzimi dhe asistencë për këdo që do ta pasojë. Misteri na ka garantuar që do e bëjë.”

Tramexani trajneri i ri?

“Kurrë mos thuaj kurrë, mund të jetë një alternativë, një person që e njeh kombëtaren shqiptare të futbollit.”

Mundësia për një trajner shqiptar

“Nuk kam menduar asgjë për emra konkretë, por besoj se që nga sot do të filloj të kërkoj. Nuk e kam mbyllur asnjëherë opsionin shqiptar apo të huaj, e rëndësishme është që të jetë i mirë.”

A preferon si trajner të ardhshëm një njeri që njeh mirë ambientin, apo një emër të madh

“Nuk do më pëlqente të filloja këtë proces tani, dëshiroja ta filloja pas eliminatoreve. Por më pëlqen apo jo, ndofta është më mirë se ky ishte mendimi Xhanit. Ai që do vijë do e njohë më mirë skuadrën

Do diskutoj me stafin teknik të Federatës dhe realisht nuk jam në gjendje të dal tani në një vendim të pjekur se ç’duhet të bëjmë e për strategjinë që duhet të ndjekim për katër ndeshjet e mbetura dhe të ardhmen e eliminatoreve të 2020.

Duhet ta diskutoj dhe të dalim me qëndrim teknik kush është më e mira për ekipin kombëtar. Nuk jam i vendosur për strategjinë dhe për të ardhmen”.

A do të marrë referenca nga De Biazi për trajnerin e ri

“Një referencë nga De Biazi? Pse jo, dhe jo vetëm për trajnerin. Për sa kohë që marrëdhëniet njerëzorë të mira vazhdojnë. Është një njeri që e kemi besuar kaq shumë, që i kemi përjetuar kaq shumë të mira bashkë dhe e vlerësojmë dhe është mëkat të mos e shfrytëzosh për një referencë”.

Pse nuk i ka dhënë sinjale më parë De Biazit për një rinovim të mundshëm

“Nuk kam menduar që është vonë, kam menduar në të njëjtën mënyrë para Europianit. Kam thënë publikisht që të presim mbarimin dhe pastaj diskutojmë për kontratat, duke i qenë besnik i mendimit që diskutimet kontraktuale gjatë edicionit ndofta cenojnë mbarëvajtjen e ekipit.

Në fund do të diskutonim për të ardhmen në këtë mënyrë. Nuk kam qenë i vendosur dhe i bindur që De Biazi ka mbyllur ciklin, ndoshta nuk kam qenë as i bindur që mund të japë shumë më shumë. Por ndofta mund të ishte dhënë një sinjal. Ku i dihet, ndofta është bërë mirë që nuk është dhënë”.

Pse nuk arriti ta bindte të vazhdonte deri në fund

“Nuk mendoj se nuk do të arrija ta bindja, por ndofta më ka bindur trajneri mua se kjo është më e mira për ato argumente që vetë trajneri tha, që ndofta nuk luftojmë më për një vend kualifikues. Ndaj le të mendojmë për të ardhmen”.

Për atë që pret trajnerin e ri

“Kushdo që të jetë do kohën e mjaftueshme për të njohur ambientin. Nëse do të ishte misteri i pranishëm, do të ishte më e lehtë. Zëvendësimi më mirë sot se në fillimin e edicionit të ardhshëm”.

A po cenohet objektivi i vendit të tretë duke menduar për të ardhmen

“Unë jam i mendimit që në asnjë rast, asnjë ndeshje asnjë minutë nuk nënvlerësohet, në çdo rast duhet marrë maksimumi i mundshëm. Duhet të ndërtosh programin, ne do të vazhdojmë me objektivin për t’i fituar 4 ndeshjet e radhës, edhe pse kundërshtarët janë shumë të fortë dhe kryesues të grupit.

Të njëjtin diskutim edhe kur nënshkruam kontratë, të rinovojmë ekipin duke arritur rezultatet, thotë se nuk ka nevojë për të rinovuar, por për t’u konsoliduar. Në asnjë rast nuk mund të nënvlerësojmë asnjë minutë nga ndeshjet e ardhës”.

A ka një emër për trajnerin e ri

“Nuk jam i gatshëm ta jap përgjigjen sot, thashë do të diskutoj dhe do të dal me një vendim sa më të mirë për ekipin”.

Nëse mund të konsultohet me grup pune me trajnerë të tjerë

“Nuk duhet bërë shpikje, ka statut dhe organe që i respektoj. Vendi i Drejtorit Teknik sot është vakant, por mbulohet nga Sekretari Shulku, së shpejti ndofta do të kemi një emër në atë post. Por është një armatë e tjerë që punon.

Në drejtorinë teknike të Federatës dhe ai staf janë të gjithë njerëz të futbollit, ish-trajnerë e futbollistë, me ata do ta bëj konsultimin, jo me ndonjë gazetar”.

Enjoyed this video?
Tramezzani mund të jetë trajneri i ri, nuk ua mbyll derën shqiptarëve
"No Thanks. Please Close This Box!"