Energjia elektrike, rrezik për jetën e banorëve në Çair

Published on 29-12-2016

rryma

Energjia elektrike vazhdon të krijojë problem në lagjet e mbipopulluara të Çairit, pasi që ngarkesa e madhe dhe kapaciteti i dobët shkaktojnë djegie të shtyllave elektrike, gjë që mund të rrezikojnë edhe jetën e banorëve.

Vetëm para disa ditëve kishte një rast ku në lagjen Serovë të kësaj komune, u dogj shtylla elektrike si shkak i mbingarkesës.

Zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski konfirmon për Portalb se flaka ka filluar për shkak të mbingarkesës, shkaku që sipas tij një pjesë e banorëve kyçen ilegalisht në rrjetin energjetik.

“Flaka që kaploi shtyllën e rrymës ishte si shkak i mbingarkesës por fatmirësisht u mënjanua shpejtë ky problem i cili mund të kishte pasoja shumë më të mëdha dhe më të dëmshme. Apelojmë tek qytetarët të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë rrymën, të na drejtohet dhe të gjejmë formë për të tejkaluar këto probleme, mirëpo nuk është zgjidhje kyçja vetanake dhe ilegale në rrjetin energjetik sepse jo vetëm që rrezikojnë jetën e tyre gjithashtu rrezikojnë edhe banorët e lagjes”, tha për Portalb, Kovaçevski.

Banorë e kësaj lagje thonë për Portalb se janë të vedijshëm mirëpo thonë që EVN duhet të merr masa për të mos ndodhur ndonjë incident më i madh dhe i rrezikshëm.

“Ndërtimi i shpeshtë i ndërtesave në komunën e Çairit është një dukuri tani më e njohur për të gjithë, mirëpo ajo që jo të gjithë e dinë është se ne kemi vazhdimisht probleme me rrymën. Shkaku i mbingarkesës tërë kohën bie sistemi madie ka raste kur edhe digjet centrali”, tha Bashkim Tahiri, banor.

“Ka shumë faktor që ndikojnë në probleme të tilla. Përveç mbingarkesës gjithashtu kemi edhe banorë të papërgjegjshëm që vjedhin rrymën dhe harxhojnë kapacitet të madh dhe ndikon në zjarre e djegie të shtyllave”, tha Fehmi Rahimi, banor.

“Mos e dhashtë zoti që të ndodh ndonjë fatkeqësi më e madhe. Çka nëse digjet një shtëpi, edhe si janë në lagjet e Serovës, Dyqanxhikut, e isa lagjeve tjera të komunës së Çairit, shtëpitë e ngjitura në mes vete, do shkrumoheshte e gjithë lagjja”, tha Arta Ymeri, banore.

“Institucionet përgjegjëse për këto punë janë komuna dhe EVN, e para komuna nuk duhet të jep leje për ndërtesa 11/12 katëshe në një lagje e cila nuk ka fare infrastrukturë. E dyta kyçja ilegale në rrjetin energjetik shkakton rrezik edhe për jetën e banorëve dhe e treta mos lejimi i EVN-së për të vendosur orët e reja të rrymës ndikon në këtë proces, pasi që ashtu besoj që edhe rritet kapaciteti dhe siguria e vetë banorëve”, tha A.J., arkitekt.

Enjoyed this video?
rryma
"No Thanks. Please Close This Box!"