Intervista e plotë me familjarët e Arben Rexhajt të vrarë në Kumanovë07:21

  • 4,613 views
Published on 29-11-2016

Duke dekoruar Ahmetin, Hashim Thaçi na dyfishoi dhimbjen për Arbenin e vrarë në Kumanovë

Në këtë familje nga Ferizaji, 28 Nëntoret nuk kalojnë më në atmosferë festive. Që kur u vra Arben Rexhaj më 9 maj të vitit të kaluar, 28 Nëntori në këtë familje pritet me lot dhe me mall për djalin e rënë në tradhti, siç shprehen ata

Ferizaj, 28 nëntor– Ali Ahmeti ka tradhtuar djemtë tanë në Kumanovë, kurse me dekoratën që Hashim Thaçi ia dha Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, na vrau për së dyti. Këto janë porositë e fuqishme të familjarëve të Arben Rexhajt, ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vrarë më 9 maj të vitit të kaluar në Kumanovë.

Në këtë familje nga Ferizaji, 28 Nëntoret nuk kalojnë më në atmosferë festive. Që kur u vra Arben Rexhaj më 9 maj të vitit të kaluar, 28 Nëntori në këtë familje pritet me lot dhe me mall për djalin e rënë në tradhti, siç shprehen ata.

Ekipi i LajmTv ka vizituar familjen Rexhaj këtë nëntor, për të marrë mendimin e familjarëve lidhur me vendimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për të dekoruar shumë fytyra publike dhe jopublike në Maqedoni.

Qerim Rexhaj: Lus shqiptarët e Maqedonisë të kenë kujdes

Babai i Arbenit, Qerimi, na priti me mikpritje të ngrohtë, siç i ka hije traditës shqiptare. Ai nuk shprehet shumë i habitur nga dekoratat që ka ndarë Hashim Thaçi në Maqedoni. Është i bindur se Thaçi më shumë punon për interesat e Serbisë, se të shqiptarëve.

“Thaçi jo vetëm me këtë rast, por edhe në shumë raste tjera e ka dëshmuar se nuk është për udhëheqës të Kosovës, por se më tepër punon për interes të Serbisë. Thaçi shumë herë ka qenë dhe ka dekoruar njerëz vend e pa vend, mirëpo tani dëshmoi që Ali Ahmeti është tradhtar i kësaj ngjarje. Ai ishte iniciator dhe në fund i tradhtoi. Ali Ahmeti për krejt popullin shqiptar edhe të Kosovës edhe të Maqedonisë është armik i popullit shqiptar”, thotë bacë Qerimi.

Qerim Rexhaj ka një lutje për shqiptarët e Maqedonisë.

“E kisha lutur popullin shqiptar të Maqedonisë, në këtë moment kritik, që të kenë kujdes se kujt po ja japin votën sepse me të vërtetë jemi në gjendje të mjerueshme si shqiptarë”, ka shtuar babai i Arben Rexhajt.

Zoje Rexhaj: Jam krenare që djali im nuk ishte tradhtarë

Ky akt i Thaçit ka ngjallë sërish dhimbje te familjarët, e madje i ka dyfishuar. Posaçërisht i prekshëm është rrëfimi i nënës së Arbenit, Zoje Rexhaj.
“Po valla, dyfish na e ka ngjallë dhimbjen. Dhe në vend se të bëjë një marrëveshje së paku që të ekstradohen këta që janë në burg, ai i dekoroj me medalje iniciatorët që ishin kundër këtij grupi. Ky grup nuk është as terrorist, as nuk kanë ardhur të bëjnë keq, por kanë ardhur të luftojnë. kanë ardhur për të mirën e popullit shqiptar, por shumë keq u tradhtuan.  Kush mundet me qenë këtu si iniciator? Janë prej qeverisë së Kosovës, është edhe një prej qeverisë së Shqipërisë, edhe ai është. Spo e emëroj sepse ka kush e emëron, mirëpo edhe ai keq i tradhtoi. Për Ali Ahmetin mos të flasim. I ka pasur edhe kolegë e shokë ata që i tradhtoi. Ndoshta djalin tim nuk e ka njohur, mirëpo shumë prej tyre i ka njohur dhe në fund u bëri kurthin më të keq”, thotë ajo.

Zëri fillon t’i dridhet, kurse shkrehet edhe në vaj, derisa shpreh mallin për humbjen e djalit. Mirëpo menjëherë mbledh veten dhe shfaq krenarinë, që djali i saj nuk ka qenë tradhtar.

“Vetëm për një send jam krenare. Më mirë që djali im ra dëshmor, se të kish mbetur gjallë tradhtar i kombit dhe tradhtar i grupit”, thotë nëna e Arbenit.

Bashkëshortja e Arbenit: Thaçi falënderoi Ahmetin që vrau trimat në Kumanovë

Dhimbja dhe revoltë e madhe vërehet edhe tek bashkëshortja e Arbenit, Mevlide Rexhaj. As ajo nuk kurse akuzat për Thaçin dhe Ahmetin.

“Po ma merr mendja që i ka dekoruar në shenjë falënderimi që mi hjeke këto trima, sepse askujt nuk i kanë penguar më shumë se atyre dyve. Nuk ma merr mendja. Nuk e arsyetoj as qeverinë tonë aspak, por jam e bindur se tradhtar në këtë rast është Ali Ahmeti. Askush tjetër. Askush nuk mund të ma hjekë këtë dyshim”, shprehet zonja Mevlide.

Pas vete, Arbeni ka lënë tre fëmijë: Brigitën, Leonardin dhe Brikenën. Cili prej tyre e përjeton më rëndë humbjen e babait?

“Të gjithë po e përjetojnë vështirë. Asgjë më nuk është si më parë”, shton nëna e tyre Mevlidja.

Ditët e zymta të këtij nëntori në Ferizaj, duken edhe më të zymta në shtëpinë e familjes Rexha. Përveç shumë dyshimeve që ende janë të gjalla, ata më tepër i mundon fakti se politikanët, për të cilët janë të bindur se qëndroj ë pas trafhtisë së madhe në Kumanovë, ende nuk janë dënuar me votë nga populli. Megjithatë shpresën nuk e humbin se e vërteta do të del në shesh. “Gjithçka është zbardhur, asgjë nuk ka mbetur pa dalë në shesh. Gjithçka do të merret vesh”, është mesazhi i Mevlide Rexhajt. Edhe pse zëri me të cilin e shpreh këtë bindje është i mekur dhe i thyeshëm, megjithatë thelbi i këtij mesazhi do të ushtojë fort në dhe do t’ua kallë datën tradhtarëve të involvuar te rasti i Kumanovës. (a.h.&e.b.)/LajmTV

 

 

Enjoyed this video?
familja-rexhaj26-11-2016-still002
"No Thanks. Please Close This Box!"