Jakup Krasniqi pyet Hashimin e Kadriun: Çka përmban incizimi me të cilin ju shantazhoi Lladrovci pas luftës

Published on 15-12-2016

11

Kryetari i PDK-së dhe ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, gjatë fushatës elektorale në Drenas, dje ka  qëndruar në Negroc, vendlindjen e Jakup Krasniqit. Ai duke mbajtur fjalim, ka drejtuar një ‘selam’ drejtë Jakup Krasniqit.

“Dëshirova pikërisht në Negroc se e di që ka me i shku ky selam bashkëluftëtarit tim Jakup Krasniqit. Se nuk ka vepruar mirë. Ka me u harru 18 vjetori, ka me u harru, po marrja ka me mbet sepse nuk varet shpirti nga ne. Nuk duhet të varet për politikë, për ego e për shkak të karrierës. Mbajeni në mend ju bashkëfshatarë të Jakup Krasniqit se ai kurrë në jetën e vet nuk do të përfitojë aq sa ka përfituar sa ka qenë në Partinë Demokratike të Kosovës. Veç ka me shku në pension se nuk do të përfitojë asgjë më shumë. Nuk është korrekte”, ka thënë Veseli.

Ai më tej ka thënë se Krasniqi nuk është mirë t’i skuqë komandantët e UÇK-së, me të cilët ka kaluar kohë të vështira.

“Edhe sot i them baca Jakup: Nuk është mirë që ai t’i skuq bashkëluftëtarët e vet. Nuk do të isha unë sot këtu duke folur për kundërkandidatin e partisë së Jakupit. Ka qenë mirë që ai sot të ishte me ne këtu në Negroc. Nuk është mirë që ai nuk është me mësuesin Sherif, as me Ilminë, as me Feratin,as me Sokolin nuk është. Me neve e ka nda kohën më të vështirë, për veprimtarinë e tij nuk ia heqim asnjë presje, ka qenë bashkëluftëtar dinjitoz që e ka mbrojt vendin e vet kudo që ka shkuar, por te egoja ka gabuar”, ka thënë veç të tjerash Veseli në porosinë drejtuar ndaj Jakup Krasniqit, shkruan “Bota sot”.

Por sot i menjëhershëm ka qenë reagimi i Krasniqit, i cili duke komentuar deklaratat e Veselit, ka shkruar gjerë e gjatë për veprimtarinë dhe lidhjet e tij me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Ramiz Lladrovcin.

Sipas Krasniqit, Lladrovci menjëherë pas lufte ka shantazhuar Hashimin dhe Kadriun me një incizim, për të cilin Krasniqi ka thënë se duhet të tregohet çka përmban ai incizim.

“Pas lufte kandidati për Kryetar te Drenasit (i PDK-es) i ka shantazhuar, Hashimin dhe Kadriun me një incizim. Ai duhet të tregoi, se çka përmbante ai incizim me te cilin i shantazhonte shefat e tij të sotme?! Madje ai duhet t’i tregoi opinionit, çka bëri pas luftës me parat e “Fondit Vendlindja Thërret”? A e ke blerë ndonjë banesë në Tiranë? Si u bëre biznesmen? Ke e akuzoje për futjen në “Listën e Zezë” të SHBA-së? Si e fitove pozitën e Ambasadorit? Ke e shantazhove për marrjën e asaj pozite? Pse e la postin e Ambasadorit, me të ardhura shumë më të mira, për pozitën e Kryetarit te Komunës? Pse nga qyteti ke rënë në fshat”, ka shkruar Krasniqi.

Ai më tej ka shkruar se të tre, Lladrovci, Thaçi e Veseli mbajnë përgjegjësi për fondin, Vendlindja thërret.

“Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë? Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje? Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UCK-në e kishin bërë copa-copa. Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi). Ramizi besoj se nuk ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylen në Tiranë. Raporte hiq më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës. Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK në AAK dhe përsëri në PDK? Çka u bë sot që u bëre bashkë me ata që i shantazheve gjatë? Dhe si duket nuk te shkoi bash huq”, ka shkruar Krasniqi, përcjellë “Bota sot”

Enjoyed this video?
11
"No Thanks. Please Close This Box!"