Karate/ “Kushtrimi”-t i “nihet zani” në Serbi

Published on 27-02-2017

irfan

Të dielën, në Leskovc të Serbisë u mbajt turneu ndërkombëtar në karate “Leskovac Open 2017”, në të cilin morën pjesë rreth 700 karateistë prej katër shteteve fqinje: Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi dhe nikoqiri Serbia. Klubi i karatesë “Kushtrimi” nga Hasanbegu ishte i vetmi klub shqiptar në këtë turne, duke marrë pjesë me 3 garues, të cilët patën shtatë paraqitje.

Pashtrik Avdiu (-30kg) për grupmoshat e lindur në vitin 2007 zuri venin e parë në kata dhe kumite. Ai zhvilloi katër luftëra të shkëlqyera dhe pa asnjë pikë të humbur fitoi medaljen e artë në kumite. Ndërsa, edhe në kata pas tre paraqitjeve shumë të mira doli kampion.
Emir Ramadani (-35kg dhe në kata) për grupmoshat e të lindurve në vitin 2006 doli i bronztë, kurse Medin Dema u paraqitë në kata në dy nivele: në nivelin e katërt pas tre paraqitjeve të shkëlqyeshme u shpall kampion, kurse në nivelin absolut fitoi të bronztën. Në kumite ekipore, fatkeqësisht, dyshja Avdiu-Ramadani pësoi disfatë.

“Pjesëmarrja në një turne të tillë për ne si klub ishte një përvojë e madhe. Pritja nga organizatori qe shumë e mirë. Edhe pse ishim i vetmi klub shqiptarë në asnjë moment nuk u ndjemë të diskriminuar. Me ne ishte edhe koordinatori i klubit, Aljko Idrizi, i cili nuk kurseu mundin për të ndihmuar arritjen e suksesit. Sa i përket sportistëve jam i kënaqur nga paraqitja dhe forma e tyre, posaçërisht nga Pashtriku, i cili tregoi performancë të bukur”, deklaroi trajneri i KK “Kushtrimi”, Irfan Aliu.

Enjoyed this video?
irfan
"No Thanks. Please Close This Box!"