Kirurgu Dika flet për gjendjen e shëndetësisë në 15 vitet e fundit

Published on 17-05-2017

Kirurgu shqiptar Artan Dika përmes një postimi në Facebook përshkruan gjendjen e shëndetësisë në 15 vitet e fundit.

Ditë më parë një gazetar i një portali më kërkoi një mendim lidhur me trajtimin e shëndetësisë nga partia shqiptare në pushtet në 15 vitet e fundit, shkruan Dika. Tekstin e plotë mund ta gjeni më poshtë.

Pas luftës së vitit 2001 ka patur një ide të përgjithshme për avancimin e gjendjes së shqiptarëve në shëndetësi, të konceptuar si: shtim i përqindjes së të punësuarve në këtë sektor, marrje e posteve drejtuese nëpër spitale dhe shtimi i investimeve në infrastrukturën shëndetësore në zonat e banuara me popullatë shqiptare. Ky ka qenë edhe orientimi në vitet e para 2002-2006 duke arritur disa ndryshime fillestare të dukshme. E keqja është se edhe sot e kësaj dite gjërat kanë mbetur pak a shumë në të njëjtin nivel, ose kanë degraduar, me pak a shumë të njëjtët funksionarë që sikur janë ngjitur me tutkall në postet e tyre, me dështimin e gjithanshëm në përmbushjen e premtimeve të bëra tashmë bajat për investime në zonat e banuara me shqiptarë dhe me degradimin e punësimeve, nga punësime gjithëpërfshirëse dhe më kualitative (në një situatë me jo shumë mjekë në dispozicion), në punësime të viteve të fundit përgjithësisht partiake, shpesh me kuadro joprofesionale (në rradhë të parë nëpër klinika).

E thënë me pak fjalë partia shqiptare në pushtet nuk ka patur kurrë një strategji për shëndetësinë, nuk ka patur program për shëndetësinë dhe as qasje faktike në resurset që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Strategjia nuk ka ekzistuar ndonjëherë, programet parazgjedhore kanë qenë mashtrime me shifra për investime të trilluara që pastaj janë fshehur që të mos ketë qasje njeri në to, ndërsa zyrtarët e BDI-së kanë shërbyer si kukulla formale që kanë bërë punën e zëdhënësve. Të përmendim vetëm vitet 2008-2011 kur ministër i shëndetësisë ishte kuadër i BDI-së. Cilat kanë qenë projektet e programit të BDI-së të realizuara në këtë periudhë? Nëse i lexoni programet e BDI-së dhe të VMRO-së të asaj periudhe do ta shihni dhe edhe vet ish ministri i saj thjeshtë ka deklaruar për opinionin në rolin e zëdhënësit zbatimin e programit të VMRO-së. Po përmendim këtu: sistemin DRG – Programi i VMRO-së “Prerodba vo sto cekori” fq. 165; Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 166; Kartelat elektronike dhe elektronizimin e spitaleve – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 167; Sistemin me dy drejtorë në spitale – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 162; Dhënjen e provimit të menaxhimit nga drejtorët e spitaleve – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 162; Decentralizmin e furnizimeve të istitucioneve shëndetësore nga Fondi i shëndetësisë tek institucionet shëndetësore – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 162; Projektin e vaksinimit falas kundër HPV-së – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 166; Ndërtimin e ambulantave rurale – Programi i VMRO-së “Prerodba” fq. 171-172, etj., etj., etj. Për ironi edhe ndërtimi i ambulantave në fshatrat shqiptare, si Frëngova dhe Misllodezhda, në Strugë është paraparë me programin e VMRO-së “Prerodba” në faqet 171 dhe 172 dhe nuk ekziston në programin e BDI-së të kësaj periudhe). Ministri i BDI-së mbahet mend vetëm për dy propozime të tij origjinale: e para për mbulimin e synetive si rit fetar nga Fondi i shëndëtësisë, i cili u injoruar nga Fondi dhe nuk u realizua ndonjëherë dhe për të ashtuquajturin “Komitet për avansimin e sistemit shëndetësor”, i cili u formua në vitin 2009 dhe që atherë u shua në heshtje dhe nuk bëri asgjë, megjithëse Ministri i athershëm e pat prezantuar me shumë pompozitet si një ide e tij e marrë nga Britania e Madhe. Gjërat kishin degjeneruar deri në atë pikë sa që për ministër ishte caktuar një specializant, gjë që vështirë se mund të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër. Një specalizant që ishte i varur nga profesorët e tij, tek të cilët duhej të jepte kolokviumet dhe provimet e specializimit të vet, ishte caktuar për të zgjidhur problemet e shqiptarëve në shëndetësi duke “urdhëruar” profesorët e tij!

Shëndetësia e dekadës së fundit është një storje e dështimit të përbashkët të partnerëve VMRO-BDI (në kuptim të degradimitë të cilësisë, mungesës së investimeve, vendosjes së kuadrove të paafta në poste drejtuese, ndërhyrjeve partiake, shtrirjes së nepotizmit dhe korrupsionit në menaxhimin e resurseve) si dhe e dështimit të dyfishtë të BDI-së, në shëndetësi në përgjithësi dhe në avancimin e shqiptarëve në këtë sektor në veçanti. Nëse flasim për aspektin e parë duhet thënë se shumë projekte janë prezantuar në publik në mënyrë pompoze, por pastaj kanë dështuar plotësisht dhe janë lënë në harresë (po kujtojmë këtu premtimin e harruar për ndërtimin e një qendre të re klinike, projektin për transplantimin e mëlçisë të dështuar totalisht, projektin për kardiokirurgjinë e fëmijëve, premtimet më shumë se 10 vjet për PET SCAN-in që nuk po vihet ende në përdorim në shëndetësinë publike, ndërkohë që është bërë aq lehtë i zbatueshëm në shëndetësinë private, blerjen e aparatuarave, shpesh joprioritare dhe të shtrenjta, me çmime shumë më të larta se ato reale, ndërkohë që mungojnë pajisje shumë më të nevojshme dhe të lira (të mos harrojmë se Urgjenca e kirurgjisë nuk ka elektrokauter per ndalimin e gjakosjes gjatë operacionit, i cili nuk kushton më shumë se 700-800 euro dhe e ka çdo mjek që bën synete), etj.).

Aspekti i dytë i dështimit nuk ka të bëjë vetëm me çështjet e përmendura më sipër, as edhe vetëm me mospërdorimin e gjuhës shqipe në dokumentacionin mjekësor, por edhe me sferën e shëndetësisë private gjithashtu. Koncentrimi i kapitalit në shëndetësinë private ka marrë karakter të pastër njëetnik dhe për më shumë, ndërkohë që dihet se pas spitaleve kryesore private qëndrojnë njerëz të lidhur me pushtetin, iniciativat shqiptare në sektorin privat jo vetëm që nuk janë stimuluar por janë shtyrë drejt dështimit. Është e pakuptueshme që Fondi shtetëror i shëndetësisë tu paguajë spitaleve private, të cilat fitimin duhet ta nxjerrin nga aktiviteti i tyre, për shërbime të cilat ofrohen në spitalet publike. Kjo është njësoj sikur shteti të nis të financojë universitetet private, krahas atyre publike. Duke qenë edhe më absurde, shteti përmes Fondit të shëndetësisë ju paguan institucioneve private më shumë për një procedurë të caktuar se sa për të njëjtën procedurë në institucionet shtetërore (p.sh. Fondi i shëndetësisë e paguan më shumë dializën e bërë ambulatorisht, dhe dihet se dializat ambulatore u privatizuan dhe janë në pronësi të një personi pjesë e pushtetit, se sa dializat e bëra në spitalet shtetërore). Kur kemi parasysh se këto institucione shëndetësore private janë në duart e njerëzve të partisë maqedone në pushtet, ose të afërt me të, atëherë mund ta kuptojmë qartë se kush realisht i harton politikat shëndetësore në Maqedoni dhe se sa jashtë rrjedhave dhe pa ndikim janë funksionarët e partisë shqiptare në këtë sektor.

Lidhur me çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përfaqësimi prej 25% i mjekëve është larg realizimit, ndërkohë që ka klinika në Shkup ku nuk ka ende asnjë motër medicinale të punësuar, pa përmendur këtu administratën e klinikave, të cilat janë mbingarkuar në heshtje me të punësuar joshqiptarë, ndërsa shqiptarët numërohen me gishtërinj. Për me keq, me ndryshimet e Ligjit për shëndetësinë parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuar realisht është nxjerrë jashtë loje duke e shtuar para tij parimin e aftësisë profesionale, jo si standard real i matshëm, por si mekanizëm për ta pamundësuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nën arsyetimin e aftësisë më të madhe të kandidatëve të palës tjetër. Kjo ka bërë që në konkurse të caktuara, siç pat ndodhur në Spitalin e qytetit në Shkup, nga 20 mjekë të punësuar të mos ketë asnjë shqiptar.

Mungesa e investimeve në spitalet në zonat e banuara me shqiptarë tashmë është e njohur. Qe tre cikle zgjedhore, nga 2011, premtohet ndërtimi i spitalit në Strugës, që ka mbetur një grumbull barakash, ndërkohë që është ndërtuar spitali i Ohrit. Spitali i Gostivarit është në gjendje të rëndë, ashtu si edhe ai i Tetovës, të cilit i është ndërruar vetëm mbishkrimi në hyrje duke e mashtruar veten se kemi bërë Spital Klinik, por i është marrë aparati për thyerjen e gurëve për t’ju dhënë Spitalit të Qytetit në Shkup, ndërkohë që ndërtohet spital modern në Shtip, një komunë kjo më me pak banorë edhe se Struga, dhe aparatura moderne pa fund dërgohen atje. Nuk mjafton vetëm gjendja e mjeruar në spitalin e Kumanovës, por tani me regjionalizimin e shëndetësisë si qendër rajonale shërben Shtipi, dhe banorët e Kumanovës dhe Likovës për ekzaminime më të sofistikuar duhet të drejtohen për në Shtip.
Shëndetësia thjesht nuk është ndonjë përjashtim, ajo është pjesë e një dështimi të madh të përgjithshëm të përfaqësuesve tanë në qeverisje.

Enjoyed this video?
dika
"No Thanks. Please Close This Box!"