Maqedoni, ndryshimi i humorit politik pas zgjedhjeve lokale: a do rikompozohet qeveria “Zaev”?

Published on 18-11-2017

Nga Miradie Hasani

Problemet e qeverisë së Zaevit po shfaqen tashmë pesë muaj pas formimit të saj, pasi LSDM-ja hapur përkrahu kandidatët e BDI-së gjatë Lokaleve, gjë që ka revoltuar Aleancën për Shqiptarët, dhe ka shtuar zërat për daljen e saj nga qeveria. Por kjo u mohua nga kryetari i ASH-së, Ziadin Sela. Me fitoren e Arben Taravarit si kryetar i Gostivarit, ASH për momentin ka mbetur pa Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev po zvarrit bisedimet me partnerët e koalicionit për postet ministrore. Përderisa Ziadin Sela pret fjalën e fundit prej tij, Zaev akoma nuk tregon a do të ketë apo jo rikompozim të qeverisë. Ai para dy javësh dha sinjale për një gjë të tillë, por duket se asgjë nuk po lëviz.

“Shpresoj që në një atmosferë më të qetë, këtë vikend do të mund t’i hapim proceset se si të vazhdojmë më tutje, sepse e dimë që kemi disa vende boshe në qeveri”, u shpreh Zaev, por që këtë fundjavë ndodhet në Bosnje.

Ndërsa Ali Ahmeti, tha se akoma nuk ka propozime të tilla dhe nuk kanë diskutuar me kryeministrin Zaev dhe partnerët e tjerë të koalicionit për ndryshime në qeveri.

“Akoma nuk kemi biseduar se a do ketë riformatim apo emërime, nuk kemi një mendim të kompletuar. Do shohim ditët e ardhshme pasi të bisedojmë me partnerët e koalicionit se cila do ishte zgjidhja më e mirë”, u shpreh kreu i BDI-së.

Nga ana tjetër , zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani ka theksuar se momentalisht përshtypjet individuale janë se asnjë deputet i BDI-së nuk është në disponim apo nuk do që ta votojë ministrin e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët. Ai ka thënë se kjo revoltë është lidhur me deklaratën e kreut të ASH-së, Ziadin Sela se Ahmeti ka organizuar sulmin e 27 prillit në Kuvend.

“Nuk kemi ndonjë vendim që kemi marrë se cilat hapa do të jenë. Shkoni bisedoni me ndonjë deputetë të BDI-së do të thojë se nuk dua të dëgjojë për këtë. Ne nuk kemi pasur mbledhje për të vendosur për qeverinë dhe zëvendimin e vendeve vakante. “, ka theksuar Osmani.

Qëndrimi i kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës dy javë më parë, ishte se pret ftesën e kryeministrit Zoran Zaev, për të biseduar rreth përbërjes së qeverisë. Sela rikujtoi Zaevin se është detyrë e tij për ta bërë qeverinë, kurse mohoi emrat që dolën në opinion për zëvendësues të Taravarit, duke i quajtur ato manipulime.

“Kryeministri e ka për detyrë të bëj qeverinë, dhe unë jo. Kështu që ngelet që ai, si ta vlerësoj, a ka nevojë që të takohemi apo jo”, tha Sela. /tesheshi.com/

Enjoyed this video?
auto_Qeveria-e-re-2_11503319663
"No Thanks. Please Close This Box!"