Me edicionin e tetë të “Chopin PianoFEST Prishtina” do të promovohet një sallë e re koncertale

Published on 23-03-2017

Chopin PianoFEST Prishtina

Besa Luzha, bashkorganizatore e “Chopin PianoFEST Prishtina ka shpjeguar për KultPlus detajet e këtij edicioni që do të nis më 10 prill.

Duke shpjeguar se si festival tashmë kanë siguruar nj sallë të re koncertale, Luzha ka shpjeguar edhe për programin e festivalit, artistët, si dhe për masterklaset që do të mbahen përgjatë këtij edicioni.

Trembëdhjetë mbrëmje artistike janë përfshirë në programin e edicionit të tetë të Festivalit “Chopin PianoFEST Prishtina”, që do të nis më 10 prill dhe do të mbyllet më 28. Artistë të njohur do të paraqiten përgjatë këtij edicioni, që për organizatorët e këtij festivali nuk është vetëm kjo prurje e vetme për këtë edicion, pasi që, në mungesë të sallave koncertale për realizimin e këtyre festivaleve, Lejla Pula dhe Besa Luzha kanë arritur marrëveshjen që bashkë me autoritetet universitare, në nisjen e këtij festivali të bëjnë edhe promovimin e një salle të re koncertale.

“Edicioni i 8 i Festivalit tonë “Chopin PianoFEST Prishtina” vjen me shumë risi dhe ec tutje me një entuziazëm të pamposhtur dhe vullnet të pashuar! Këtë e bën përkundër rrethanave të realitetit të hidhur në Kosove, i cili dëshmon me vite një mos interesim dhe neglizhencënë të gjitha nivelet e vendimmarrjes për tejkalimin e ngërçit permanent drejtë ndërtimit sa më urgjente të aseteve kulturore në kryeqytetin tonë!

Ky vullnet dhe interesim i joni i përhershëm, për fat doli papritmas të zbulojë dhe krijojë një mundësi të re të koncertimit në një skenë të bukur në kryeqytetin tonë”, ka thënë Besa Luzha për KultPlus, e cila ka shpjeguar se pas renovimit të kulmit të Amfiteatrit të ndërtesës së “Bibliotekës së ardhshme Universitare”, të ish Institutit të Historisë nga ana e Universitetit të Prishtinës, është shfaqur mundësia e shfrytëzimit të kësaj hapësire të Sallës së Amfiteatrit për koncertet e Festivalit.

“Jemi shumë të lumtur si organizatore se e kemi rastin ta bëjmë së bashku me autoritetet universitare hapjen dhe promovimin e këtij Amfiteatri! E falënderojmë Universitetin e Prishtinës për krijimin e kësaj mundësie, për gatishmëri për ndihmë dhe bashkëpunim!”, ka thënë Luzha.

 

Asociacioni Kosovar i Chopin-it e ka selinë në Fakultetin e Arteve dhe është pjese e Federatës Internacionale të Asociacioneve të Chopin-it, IFCS, Organizatës ndërkombëtare e cila është e anëtarësuar në UNESCO, kështu që, sipas Luzhës, edhe Kosova është pjesë e UNESCO-s, “Gjë që duket e vogël, por për ne në Kosovë ka shumë domethënie! Konsiderojmë se ChopinFEST-i paraqet pasuri për shoqërinë tonë dhe publikun artdashes, dëshmohet si një hallkë e fuqishme që e mbushë spektrin tonë kulturor duke shpalosur programe të nivelit të lartë artistik! Gjithë këtë duke filluar nga emrat e mëdhenj e te mirënjohur te pianistikes botërore, cilët na nderojnë përherë me ardhjen e tyre, pastaj paraqitjen e pianisteve shqiptarë të afirmuar si dhe talentet e rijnë të moshave të ndryshme, të cilët e ëndërrojnë të ardhmen e tyre të ndritshme koncertale”, ka thënë Luzha.

Sipas organizatorëve, edicioni i 8-të ka risi në disa aspekte. Përpos koncerteve solistike, dueteve piano-violinë dhe piano e violoncel, si dhe 2 mbrëmjeve vokal-pianistike dhe koncertit të zakonshëm në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës,si kurorëzim i gjithë Festivalit, sivjet është rritur komponenta edukative. “Përpos masterklaseve të shumta të cilat pothuajse çdo pianist ose muziktar mysafir do të mbajë me studentët, kemi edhe ligjërata, punëtori, simpozium për çështjet e pianizmit dhe 4 koncerte për talentët e rinj, duke filluar që nga Podiumi i talenteve ( për nxënësit që janë laureatë të çmimeve në gara të ndryshme dhe të cilëve ju japim rastin të koncertojnë në festival) , 2 podiume solistike ku ju japim mundësi studentëve të talentuar për të performuar e deri te Skena Juvenis, një format që nisi vitin e kaluar ku studentë më të shquar pianistë nga Kosova dhe Rajoni koncertojnë në recitalin e përbashkët”, ka thënë Luzha.

Sa i perket programit, ai është mjaft i pasur, dhe shumë i larmishëm, me performues shumë të vecantë.

Posaçërisht shquhet pjesemarrja e Eugen Indjic, pianistit me origjine nga rajoni e shtetas francez dhe amerikan, pastaj pianisti i ri nga Finlanda Johannes Piirto, i cili është një pianist shume i talentuar dhe i kërkuar ne skenat botërore, e qe performon ne koncertin përfundimtar me Filharmonine e Kosoves ku paraqitet për herë të parë edhe pianisti i talentuar nga Maqedonia Shkelzen Baftiari, me Koncertin e 3 -te te Prokofjev, një vepër premierë edhe për Filharmoninë e Kosovës.

Pianisti nga Austria Christopehr Hinterhuber i cili ka nderuar Shoqaten Chopin kur është themeluar duke performuar si mysafir në Koncertin inaugurues.

Pastaj dy koncertet ku performojnë dy pianistet tona Lule Elezi dhe Alberta Troni me kolegët e tyre, artistët nga Gjermania(Alban Pengili-violine) dhe Holanda(Karel Bredenhorst-cello), “Pjesëmarrja e violinistit shqiptar Alban Pengili për herë të parë para publikut të Prishtinës do të shoqërohet edhe me masterklasë me violinistët e talentuar, si kontribut i tij për Festivalin. Shquhet edhe pjesëmarrja e një pianisti të veçante në dy mbrëmjet vokalo-pianistike, krahas tenorit Faik Hondozi dhe sopranove Zana Abazi Ramadani dhe Besa Llugiqi, ku piano shoqëron këndimin, një rol ky i veçante i pianos në këtë format performues. Gjithë ky program i pasur nuk do të ishte i mundur të realizohej pa përkujdesjen e veçantë të Presidentes dhe Drejtoreshës Artistike të Festivalit-Lejla Pula”, ka thënë Luzha.

Ajo ka shpjeguar se sivjet është edhe një bashkëpunim i vecantë me disa miq gjermanë, të cilët do të përzgjedhin një nga koncertuesit e Skena Juvenis, për një shpërblim të posaçëm, detajet e të cilit do të bëhen publike me kohë.

“Të themi që këtë iniciativë e ka zhvilluar pianistja jonë Ardita Statovci, e cila është ambasadore e kulturës së vendit tonë dhe mike shumë e çmuar e festivalit ChopinPianoFEST Prishtina.

Edhe këtë vit, kemi shumë miq e partnerë të festivalit, si nga institucionet( Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, Universiteti i Prishtinës-Fakulteti i Arteve< Filharmonia e Kosovës), ambasadat përkatëse nga ku vijnë artistë (Austria, Kroacia, Finlanda, Hungaria, Franca etj) por dhe nga komuniteti i biznesit. Shume prej këtyre partnerëve janë duke na ndihmuar të përgatisim sallën ku do të mbahen koncertet me të gjitha ato që nevojiten për ta kompletuar sallën”, ka thënë Luzha për fund, e cila ka ftuar të interesuarit që të njoftohen edhe nëpërmjet faqes zyrtare  www.chopinkosova.com dhe në facebook ChopinPianoFEST Prishtina https://www.facebook.com/chopinpianofestprishtina/KultPlus.com

Enjoyed this video?
Chopin PianoFEST Prishtina
"No Thanks. Please Close This Box!"