Mustafa: U bë zhurmë e paparë për asociacionin, demarkacioni peng i kauzës politike

Published on 02-01-2017

Isa mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë dy çështje të cilat do të adresohen pasi gjithçka është e qartë rreth tyre.

Mustafa lidhur me demarkacionin tha se është një çështje e konfirmuar katërçipërisht, por sipas tij, ka mbetur peng i një kauze politike që ka përfshirë deputetë nga disa subjekte.

Ndërkaq, sa i takon Asociacionit, Mustafa në një intervistë për Telegrafin tha se u bë zhurmë e paparë. Ai tha se kjo tashmë është krejtësisht e qartë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila siç tha ai e dha një udhërrëfyes shumë të saktë se si duhet të krijohet ky Asociacion.

Kryeministri Mustafa në këtë intervistë ka folur për zhvillimet e 2016-së, sfidat, Gjykatën Speciale, raportet me PDK-në dhe Listën serbe, zgjedhjet, zhvillimet që priten në 2017-në, etj.

Intervista e plotë:

Kryeministër Mustafa, po kalon edhe 2016-ta, ndërkaq vlerësohet se ka qenë një vit i vështirë, me shumë protesta e mosmarrëveshje, si e vlerësoni Ju këtë vit në përgjithësi?

Mustafa: Duke ju falënderuar për intervistën, unë mund të ju them se ishte një vit i mbushur me zhvillime, me arritje të jashtëzakonshme, por edhe me sfida. Ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë vit unë do t’i përmendja rritjen ekonomike më të madhe në rajon, Buxhetin rekord prej mbi 2 miliardë euro, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, Ligjin e Trepçës, alokimin e Kodit Telefonik, avancimin substancial të marrëdhënieve me NATO-n, uljen më të madhe të papunësisë tash e 17 vjet, njohjen nga dy shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, zgjidhjen e çështjes së veteranëve pas 17 vjetëve… Ndërkaq, dy ngjarje të jashtëzakonshme që nuk lidhen me punën e Qeverisë ishin edhe Medalja e Artë e Majlindës në Olimpiadën e Rios dhe shenjtërimi i Nënës Terezë.

Sa i takon sfidave, një pjesë të tyre i tejkaluam me sukses, disa të tjera mbeten të adresohen në fillim të vitit dhe unë jam optimist.

Në fakt, në këtë vit arritëm t’i tejkalojmë situatat e pakëndshme që u krijuan në Kuvendin e Kosovës më herët, shmangëm rrezikun e zhytjes së vendit në kaos dhe anarki, nuk lejuam rrënimin e shtetit që synohej nga një pjesë e opozitës dhe tani e kemi stabilizuar situatën pasi që të gjithë e kuptuan se vullneti i popullit nuk mund ta rrënohet me kauza fiktive e me molotovë.

Viti ka filluar me protesta të shumta kundër marrëveshjes për Asociacionin dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin, çka do të ndodh me këto dy marrëveshje?

Mustafa: Këto janë dy çështje të cilat do të adresohen pasi që tashmë gjithçka është e qartë rreth tyre.

Sa i takon demarkacionit, është një çështje e konfirmuar katërçipërisht dhe ka mbetur peng i një kauze politike që ka përfshirë deputetë nga disa subjekte. Përveç punës së komisionit shtetëror, të vërtetuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, nga komisioni ndërkombëtar, nga ekspertë të shquar anëtarë të Akademisë së Shkencave, nga drejtuesit e komunave që preken nga kufiri dhe nga bartësit e agjencive shtetërore e ndërkombëtare.

Megjithatë, ne kemi bërë edhe një hap shtesë pasi që kemi miratuar në Qeveri themelimin e një komisioni të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë që të përmbyllim këtë proces, dhe që në fillim të vitit 2017 të ndodhë liberalizimi i vizave.

Sa i takon Asociacionit, në emër të të cilës u bë zhurmë e paparë, edhe kjo tashmë është krejtësisht e qartë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila na e dha një udhërrëfyes shumë të saktë se si duhet të krijohet ky Asociacion duke na ndihmuar shumë. Ne tani do të lëvizim më tutje në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në bërjen e Statutit, i cili po ashtu do të konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese. Por, kjo do të ndodhë pasi që përfaqësuesit e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët shpeshherë po keqpërdoren pa fije turpi dhe konsiderate nga politika hipokrite e Beogradit për interesa të politikës ditore në Beograd, të kthehen në institucione.

E keni krijuar një grup ekspertësh për matjen e territorit, a mendoni se do të jetë zgjidhje kjo dhe do të pranohet nga opozita?

Mustafa: Ne shpresojmë në vullnetin e mirë të deputetëve të opozitës, të të zgjedhurve të qytetarëve që të jenë në shërbim të interesave të zgjedhësve të tyre, e jo rob të interesave të ngushta partiake dhe kauzave fiktive politike. Ne besojmë se ashtu siç e miratuam edhe Ligjin Trepçës dhe e ratifikuam MSA-në, që po i sjellë Kosovës shumë profit dhe ka avancuar proceset tona integruese, do ta kalojmë së bashku edhe këtë proces dhe t’ia hapim qytetarëve të Kosovës mundësinë e lëvizjes së lirë. Kjo mund të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm dhe lëvizja e lirë do të ndodhë shumë shpejt. Sa i takon iniciativës për matjen e territorit, ne e kemi miratuar në Qeveri themelimin e një komisioni të ekspertëve në të cilin janë paraparë disa përfaqësues nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës, Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, nga Shoqëria Civile, nga Agjencioni i Kadastrave të Kosovës, nga Agjencioni i Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia e Privatizimit, Policia e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga Komunat e Pejës, Deçanit, Istogut dhe Junikut, përfaqësues nga zona e Rugovës. Në Komision janë paraparë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Ambasadës Amerikane, të KFOR-it dhe të EULEX-it. Ne do të vazhdojmë të jemi bashkëpunues dhe të hapur duke ofruar çdo argument dhe të krijojmë hapësirë që kjo çështje të tejkalohet dhe së bashku në fillim të vitit 2017 të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së.

A do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Mustafa: Asociacioni do të themelohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo do të ndodhë në kuadër të realizmit të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, disa prej të cilave po sabotohen nga Serbia. Nuk do të ketë realizim të njëanshëm të atyre marrëveshjeve dhe Serbia duhet të realizojë obligimet e saj, të heq dorë nga ndërtimi mureve që janë refleksion i komplekseve të saj dhe e aleatëve të saj shpirtëror, të trashëguara nga e kaluara e errët.

Si do të veprohet me murin në veri të vendit?

Mustafa: Muri i ndërtuar në veri është një lojë e ulët e Serbisë, e cila përmes saj ka tentuar fillimisht të krijojë një problem artificial me të cilin ne do të merreshim në Bruksel me muaj të tërë. Së dyti, përmes këtij muri Beogradi po përpiqet të na nxis në konflikte të brendshme në Kosovë dhe të prodhojë kriza në politikën kosovare si dhe me qytetarët serbë në veri të vendit.

Andaj, ne nuk duhet të biem pre e këtyre provokimeve të politikës serbe dhe të jemi të unifikuar në raport me këtë çështje. Ndërkaq, muri është i paligjshëm, ashtu siç kanë qenë edhe barrikadat në veri. Ai mur duhet të rrënohet me fuqinë e ligjit.

T’i kthehemi institucioneve të vendit. Si e vlerësoni punën e Kuvendit?

Mustafa: Kuvendi i Kosovës, ashtu si të gjitha institucionet tjera, arriti ta tejkalojë me sukses dhe maturi situatën më të vështirë me të cilën është përballur gjatë 16 vjetëve të fundit. Tani kemi funksionalitet dhe po realizohen obligimet kushtetuese dhe ligjore.

Si e vlerësoni punën e Qeverisë?

Mustafa: Kjo Qeveri ka hartuar një program qeverisës dhe po e realizon me sukses. Kjo Qeveri do të mbahet mend për disa rekorde, është fjala për një buxhet historik mbi 2 miliardë euro, për nënshkrimin e MSA-së dhe fillimin e implementimin e saj, për rritjen më të madhe ekonomike në rajon për dy vjet me radhë, për zgjidhjen e çështjes të pazgjidhur për 17 vjet të veteranëve të luftës së UÇK-së, për rritjen më të madhe të pensioneve deri në 70 % dhe asistencës sociale prej 25 %, për uljen e papunësisë nga mbi 36 %  në 25 %, që është rekord rajonal dhe më gjerë, për kontribut në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, për fuqizimin substancial të raporteve me NATO-n, për avancimin e rrugës integruese, për marrjen rekomandimit për liberalizimin e vizave, për marrjen e Kodit Telefonik, për luftë kundër korrupsionit dhe për asnjë afere korruptive, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për shmangien me vendosmëri të zhytjes së Kosovës në kaos dhe anarki e shumë suksese të tjera

A do të ketë riformatim të Qeverisë?

Mustafa: Gradualisht po plotësohen vendet vakante në Qeveri. Në mbledhjen e fundit, me propozimin e PDK-së, emëruam ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu, do të bëjmë edhe ndryshime tjera të nevojshme. Qeveria po funksionon mjaft mirë.

Janë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Ju si kryeministër dhe lider i LDK-së a jeni pro mbajtjes së zgjedhjeve?

Mustafa: Nuk e shoh asnjë aspekt, që një proces zgjedhor i parakohshëm do të ndihmonte proceset në Kosovë. Kam bindjen e plotë se çdo hyrje në procese elektorale të parakohshme, do të krijonte hapësirë për pakënaqësi me organizimin e tyre, për tensione, dhe si rezultat do të prolongohej çdo progres në vend. Aq më shumë kur zgjedhje të tilla nuk mund të prodhojnë rezultate shumë të ndryshme nga ato të zgjedhjeve të fundit. Pra, mendoj se duhet të mos biem pre e trilleve politike dhe përpjekjeve që përmes krizave dhe proceseve të papërgatitura dikush të përfitoj. Duhet të vazhdojmë të çojmë proceset përpara, të liberalizojmë vizat e të ecim tutje.

Si janë raportet me partnerin e koalicionit, PDK-në? A mund të ketë prishje të koalicionit në 2017-në?

Mustafa: Kemi raporte të mira partneriteti. Kemi koordinim për çështjet e rëndësishme. Së bashku e hartuam dhe e kaluam një Buxhet historik mbi 2 miliardë euro. Në bashkëpunim të plotë, si partner të koalicionit, arritëm të gjejmë zgjidhje për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Veteranët e UÇK-së, që po ashtu e  konsideroj një sukses tepër të madh të këtij koalicioni. Ndryshimet në këtë Ligj, me të cilat plotësohen kërkesat e FMN-së, krijojnë stabilitet buxhetor dhe makroekonomik, besim te investitorët e jashtëm dhe mundësi për shfrytëzim të mbështetjes buxhetore nga FMN dhe BE si dhe të huave shumë të volitshme për investime kapitale që në mënyrë direkte apo indirekte krijojnë ambient për zhvillim dhe punësim. Po i adresojmë çështjet e tjera të rëndësishme për vendin. Besoj që koalicioni duhet të shkoj deri në fund të mandatit, jo për hir të vetvetes dhe interesave tona, por për hir të vendit, i cili duhet të shfrytëzoj këtë kohë për avancimin e proceseve e jo për rikthim në paqartësitë që prodhojnë zgjedhjet e proceset elektorale të jashtëzakonshme.

Po me Listën serbe si qëndrojnë raportet? Ata në deklaratat e tyre kanë thënë se e shohin vetën vetëm si pjesë e institucioneve, por jo partner të koalicionit?

Mustafa: Qeveria e Kosovës është e hapur për Listën Serbe që të kthehet në institucione, por duke u bazuar në parime e jo në shantazhe që diktohen  nga jashtë Republikës së Kosovës. Ne presim që Lista Serbe të kthehet në institucione, që në radhët e saj të mos ketë më njerëz që nuk meritojnë të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilët janë vegla në duar të politikanëve megalomanë e hipokritë të Serbisë. Ne kemi qenë zemërgjerë dhe tolerantë në maksimum dhe këtë e konsiderojmë vlerë tonën. Por deri këtu, asnjë hap më tutje.

Holanda e ka ratifikuar marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale? Kur pritni funksionalizimin e plotë të Gjykatës dhe arrestimet e para?

Mustafa: Nuk është çështje e cila më takon mua që të jap ndonjë opinion, aq më shumë kur ne jemi zotuar që të mos përzihemi në çështje që i takojnë sistemit të drejtësisë, në cilëndo instancë apo relacion që bëhet fjalë.

A pritet që me arrestimet e para të ‘tensionet-tronditet’ skena politike?

Mustafa: Shteti i Kosovës dhe skena jonë politike ka dëshmuar forcë, pjekuri dhe vetëdije shtetformuese për t’u përballur me sfida sado të vështira që mund të jenë ato.

Sa është e rrezikuar Kosova nga terrorizmi dhe sa po punon Kosova për luftimin e terrorizmit? Sa e ka dëmtuar reputacionin e Kosovës ekstremizmi në Kosovë?

 

Mustafa: Republika e Kosovës ka bërë punë të madhe e cila po vlerësohet jashtëzakonisht lartë nga partnerët tanë ndërkombëtarë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit e terrorizmit. Nga udhëheqësit e shteteve perëndimore ne jemi vlerësuar edhe si model rajonal për masat legjislative dhe veprimet në terren në parandalimin e akteve terroriste. Institucionet tona të zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës dhe AKI-ja, kanë parandaluar veprime terroriste që lidhen me radikalizmin fetar dhe akte tjera terroriste politike në vendet tjera të rajonit, me të cilat përveç që ka parandaluar pasojat në njerëz, i ka shërbyer ruajtjes së stabilitetit në rajon. Për këtë, ne kemi marrim vlerësime të vazhdueshme nga partnerët euroatlantikë, duke qenë anëtarë të përkushtuar të koalicionit global në luftë kundër terrorizmit.

Secilin vit është premtuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërkaq kaloi edhe 2016-ta dhe qytetarët ende janë me regjim të vizave. A është vërtetë Demarkacioni kusht për viza, apo nga Kosova përveç demarkacionit kërkohet edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit?

Mustafa: Dua të besoj se do të gjejmë forcën dhe vullnetin e duhur për një bashkëveprim të tillë. Nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojmë demarkacionit dhe të fillojmë lëvizjen e lirë. Sa i takon luftimit të korrupsionit, ne tashmë e kemi përmbushur atë kriter, pasi që është funksionalizuar historiku i lëndëve që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, i njohur si “track record”, dhe kemi vlerësime për këtë çështje. Andaj, ka mbetur vetëm demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Shpresoj dhe besoj që do ta kalojmë në fillim të vitit 2017 dhe shumë shpejt do të fillojë lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së. Por, përtej liberalizimit, ky proces do të forconte integritetin territorial të Republikës së Kosovës, pasi që do të shënonte një kufi të njohur ndërkombëtarisht ndërmjet dy shteteve tona. Kjo ka rëndësi tejet të madhe.

Sa po punohet për luftimin e korrupsionit?

Mustafa: Ekziston një përkushtim maksimal në këtë proces. Qeveria po bënë punën e saj duke marrë çdo masë ligjore në dispozicion, çdo veprim konkret struktural, po kalojmë me hapa të shpejtë në prokurimin elektronik shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, kemi suspenduar të gjithë zyrtarët publikë dhe përfaqësuesit politikë ndaj të cilëve janë ngritur akuza në lidhje me afera korruptive, kemi ndërmarrë çdo masë në këtë drejtim. Nuk e kemi asnjë aferë korruptive duke qenë avangardë në luftën kundër kësaj dukurie që e ka dëmtuar shumë vendin tonë.

Me gjithë këto çështje, Demarkacioni, Asociacioni, Gjykata Speciale, polarizimet e skajshme pozitë-opozitë etj, si mendoni se do të jetë viti 2017? A do të ketë sfida?

Kryeministri Mustafa: Sfidat dhe tejkalimi i tyre janë bërë sinonim i Qeverisjes aktuale. Andaj, unë pres që të vazhdojmë të kemi sfida të tilla dhe t’i tejkalojmë së bashku. Disa miq dhe bashkëpunëtorë më thonë shpesh se ky mandat duket se është i destinuar të jetë mandati kur po hapen të gjitha çështjet e akumuluara për 17 vjet. Nuk e di a është ashtu. Por, mund të them se ne kemi zgjidhur ose po i trajtojmë problemet që nuk janë zgjidhur qe sa vjet. Çështja e veteranëve, kodi telefonik, pensionet, asistenca sociale, sigurimet shëndetësore, kualiteti në arsim e shëndetësi, ndërmarrjet publike dhe problemet në to, janë çështje që po adresohen më shumë përkushtim e punë, përkundër vështirësive që paraqesin. Dhe nuk e kemi ndërmjet të zmbrapsemi por do të vazhdojmë punën me përkushtim për të arritur edhe lëvizjen e lirë, për të normalizuar gjendjen në veri ku tashmë i kemi hequr barrikadat dhe ku unë mora pjesë në një përurim ure, por, kemi probleme të reja, e shumë çështje të tjera.

Dhe për fund, cili është urimi juaj për qytetarët për këtë vit të ri?

Mustafa: Qytetarët e Kosovës meritojnë urimet më të mira dhe mirënjohje maksimale për tërë atë kontribut që po japin për vendin e tyre. Për besimin, optimizmin, përkushtimin dhe atdhedashurinë që e kanë. Unë ju uroj një vit të suksesshëm, një vit që mbi të gjitha do t’ju ofrojë perspektivë ekonomike, e cila pastaj sjellë stabilitet social, politik, arsim më kualitativ, shëndetësi më të avancuar, ofron harmoni shoqërore dhe vullnet për të punuar edhe më shumë për shtetin. Andaj, Urime Viti i Ri 2017 dhe na priftë e mbara!.

Enjoyed this video?
Isa mustafa
"No Thanks. Please Close This Box!"