Muzeu i Alfabetit strehohet tek “Ataturku”

Published on 27-08-2017

Muzeu i qytetit, i njohur ndryshe si Muzeu i Ataturkut, është vendi në të cilin do të zhvendoset përkohësisht administrata dhe inventari i muzeut, ku më të rëndësishmet janë figurat në silikon të personaliteteve të Kongresit që nënshkruan vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërsa zbatimi i projektit, që financohet nga fondet IPA të zhvillimit, pritet të fillojë muajin shtator, pas nënshkrimit të të gjithë dokumentacionit përkatës

Muzeu i Alfabetit në Manastir po bëhet gati të realizojë një prej projekteve më të rëndësishme, restaurimin dhe konservimin e godinës dhe hapësirave që e rrethojnë. Muzeu i qytetit, i njohur ndryshe si Muzeu i Ataturkut, është vendi në të cilin do të zhvendoset përkohësisht administrata dhe inventari i muzeut, ku më të rëndësishmet janë figurat në silikon të personaliteteve të Kongresit që nënshkruan vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa zbatimi i projektit, që financohet nga fondet IPA të zhvillimit, pritet të fillojë muajin e ardhshëm, pas nënshkrimit të të gjithë dokumentacionit përkatës. Ky projekt fitoi mes 39 aplikimeve të tjera në kuadër të programit për Bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë. Fondi në dispozicion do të jetë mbi 300 mijë euro dhe rreth 70 për qind e kësaj shume do të përdoret për restaurimin dhe konservimin e godinës, ndërsa pjesa tjetër për aredimin e brendshëm, pajisjen me rrjet komunikimi bashkëkohor, trajnimin e stafit, e të tjera. Kohëzgjatja e projektit është 18 muaj, ndërsa restaurimi do të zgjasë pesë deri në gjashtë muaj. Pamja e jashtme e objektit nuk do të ndryshojë shumë nga ajo aktuale, bazuar në fotografitë e atyre viteve.

“Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimit, në muajt e verës së vitit të ardhshëm do të përfundojmë fazën kryesore, restaurimin e plotë të objektit, ndërsa inaugurimi do të bëhet më 22 nëntor. Projekti do të fillojë edhe pse nuk është arritur të zgjidhet çështja e kontestit pronësor. Ky është projekti më i rëndësishëm për këtë institucion, pasi do të sigurojë funksionimin në një objekt të restauruar, por edhe se ofron mundësi për pajisjen e tij me orendi të duhura, data bazë dhe IT, por edhe do të mundësojë trajnimin e stafit për të kryer operacione online dhe ofruar shërbimin që e meriton një muze bashkëkohor”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Delikate mbetet çështja e pronësisë, ku kati i parë i ndërtesës posedohet nga një pronar tjetër dhe funksionon si shitore dhe magazinë e pajisjeve hidraulike dhe sanitare. Ministria e Kulturës nuk ka arritur të gjejë një “gjuhë të përbashkët” me pronarin për opsionet e shitjes dhe kompensimit, gati dhjetë vjet pas vënies në funksion të ndërtesës si shtëpi dhe më pas muze. Buxheti i vënë në dispozicion ka qenë relativisht i vogël, ndërsa fondi më i madh i akorduar ishte për krijimin e dhomës muze me figurat në silikon. Për Muzeun e Alfabetit, nuk kanë funksionuar as marrëveshjet e bashkëpunimit. Dy vite më parë, mes dy ministrive të kulturës – ajo e Shqipërisë dhe Maqedonisë, u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi që supozohej se do të ndikonin në përmirësimin e gjendjes. Megjithatë, grupet e punës dhe ekspertët që duhej të viheshin në dispozicion nga të dyja palët nuk u formuan asnjëherë, madje asistenca mungoi edhe në hartimin e projektit restaurues dhe konservues.

“Muzeu do të qëndrojë i mbyllur për vizitorë për një periudhë gjashtë mujore derisa të përfundojë restaurimi. Ne, ndërkohë, vazhdojmë me projektet e tjera, ku si një prej më të rëndësishmëve është ekspozimi i nëntë kostumeve popullore tradicionale që i takojnë trevave të ndryshme shqiptare. Janë të gjitha veshje origjinale, të vjetra, që përbëjnë një prej pasurive të fondit muzeal”, thotë Arsllani. Shtëpia e Alfabetit u hap në vitin 2007, një vit pas shpalljes së 22 nëntorit si Festë e Alfabetit të gjuhës shqipe. Dy vjet më vonë, shtëpia sipas një vendimi të Qeverisë, u shpall muze.(koha)

Enjoyed this video?
zzz-696x399
"No Thanks. Please Close This Box!"