Politikanë dhe artistë shprehin ngushëllimet për Bujar Lakon

Published on 27-12-2016

12

Poltikanë, artistë dhe kolegë shprehën sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Bujar Lako. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur trishtim të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të madh Bujar Lako.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shprejh se humbja e Bujar Lakos, trishtim i thellë për të gjithe. Bujar Lako mbetet një nga yjet më të ndritshem të skenes dhe kinemasë shqiptare; Mirenjohje për Gjeneralin e madh të artit; Lako, shkollë e aktrimit dhe njeriut qytetar; Lako, nje humbje e madhe dhe prani e perhershme nga filmat e tij”.

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një trishtim ndarjen nga jeta të artistit të madh Bujar Lako.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama shprehet se “Kam qenë sa ky fëmija këtu kur e njoha Bujon… E s’kam si ta besoj dot se nuk do t’i çoj dot më shishen e verës për ditëlindje e s’do ta marr më mesazhin e tij për Vitin e Ri…”

Kryeministri Rama e mbyllë postimin e tij duke shprehur dhimbjen, ku shkruan me germa kapitale: “ÇFARË TRISHTIMI!”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetin social Facebook, shkruan “Ike pabesisht Bujar Lako, por mbete përjetësisht Gjeneral Gramafoni! Lamtumirë Artist ndonëse nuk na ikën dot!”.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Lako shprehu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Me hidhërim të madh, mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të Bujar Lakos. Zemra e tij pushoi sot në mëngjes herët, duke e larguar fizikisht nga kjo botë ikonën e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Artist i papërsëritshëm që i dha jetë si askush tjetër personazheve të ngulura në memorien e publikut, Bujari ishte një njeri i madh po ashtu, që kurrë nuk hoqi dorë nga përunjësia dhe sjellja njerëzore, megjithë arritjet e mëdha dhe lavdinë e merituar në art. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për Mirën dhe Bojkenin, për miqtë e dashamirësit, për admiruesit dhe ndjekësit e panumërt të artit, kinemasë, dhe roleve të të madhit Bujar Lako. U prehtë ne paqe!”, shkruan Basha.

Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko në një postim në Facebook Majko shprehet “ditë e trishtë për të gjithë ne. Aktori Bujar Lako ndërroi jetë. Ishte cilësia e kohës së vet”.

Aktori Mevlan Shanaj ka qenë një ndër miqtë e aktorit të famshëm Bujar Lako. “Klithmë nga qielli, nga shpirti, gjithë ajri më merr frymën , ka ikur Bujo! Lajm i dhimbshëm therës që ne miqtë, si edhe familja e kemi të papërballueshëm”, shkruan Shanaj ndërsa publikon dhe një foto me mikun e tij.

Aktorja Rajmonda Bulku shprehet se Shqipëria humbi një aktor të rrallë. “Nuk ka më Bujar Lako, nuk ka më aktor si ai. Do i mungojë teatrit, filmit, neve na mungon, artit shqiptar i mungon, ne do vuajmë për këtë mungesë”, shprehet Bulku.

Enjoyed this video?
12
"No Thanks. Please Close This Box!"