Politikanët dhe partitë, protagonistë të përgjimeve, nuk mund t’i udhëheqin proceset e ardhme politike

Published on 17-03-2017

Politikanët dhe partitë, protagonistë të përgjimeve, nuk mund t’i udhëheqin proceset e ardhme politike

Publicisti Iljasa Salihu vlerëson se është kundërthënie e llojit të veçantë të presësh shpëtim prej atij që është duke u ngulfatur.

Njohësit e rrethanave politike shprehin skepticizëm se sa mund të jenë efikas dhe me perspektivë proceset politike, kur në to marrin pjesë anëtarë të përbërjes së kaluar qeveritare, e cila- nga përgjimet publikuara të opozitës- u demaskua dhe për të cilën janë hapur edhe procedura penale nga Prokuroria Speciale Publike.

Publicisti Iljasa Salihu vlerëson se është kundërthënie e llojit të veçantë të presësh shpëtim prej atij që është duke u ngulfatur.

“Natyrshëm, atij halli i tij i mjafton sa të mos mund të brengoset për dertin e tjetrit. Përgjimet e publikuara ishin vetëm një vulë në dokumentin të cilin prej kohësh e kishim në dorë. Varfëria, izolimi, montimet politike, krimi ekonomik, vrasjet me prapavijë politike etj, ishin ngjarje dhe argumente që secili qytetarë lehtas mund t’i shihte dhe përjetonte. Gjithë kjo mynxyrë nuk mund të mos kishte autorë, gjegjësisht nuk mund të ketë të keqe pa keqbërës. Tani, pikërisht ata që ishin pjesë e pushtetit në kohën kur pushteti bënte batërdi ndaj shqiptarëve, sot orvaten të hiqen si të pafajshëm dhe dashamirë të atyre që vuajtën shumë. Ata që nuk qenë në gjendje t’i parandalonin montimet politike, sot kërkojnë zbardhjen e rasteve në të cilat u vranë dhe po vuajnë shumë shqiptarë. Ata që ishin pjesë e pushtetit dhe në anën tjetër kërkojnë zbardhje të rasteve në fjalë, thjesht janë duke punuar për të kundërtën e asaj që e thonë”, deklaroi Salihu për gazetën Lajm.

Salihu thotë se atyre nuk u intereson zbardhja e rasteve të montuara politike, ngaqë vetë atyre do t’i nxihej fytyra. Mirëpo, sipas tij, përmes kësaj loje duan t’i mashtrojnë qytetarët dhe të lënë përshtypje se po të kishin gisht në këto raste, atëherë nuk do të kërkonin zbardhjen e tyre.

“Ngjashëm siç thoshin përgjatë hedhjes së bombave, “hidhni të gjitha”, por kur filloi t’u ngushtohet rruga, atëherë dolën kundër hedhjes së bombave. Kësisoj, proceset kombëtare vetëm se do të ndërlikohen dhe assesi të shkojnë përpara, ngaqë protagonistët e këtyre proceseve janë të zënë me mbulimin e gjurmëve të tyre”, përfundon Salihu.

Sipas politologut Deniz Memedi, po që se ekziston një minimum i etikës politike tek personat të cilat kanë qenë të përmendur në bombat e opozitës vitin e kaluar, do të tërhiqeshin vetë nga skena politike për të mirën e shoqërisë.

“Pavarësisht se sa do të jenë qëllimet fisnike të partive politike drejtë realizmit të proceseve të rëndësishme në periudhën që vjen, prezenca e personave të inkriminuar në të kaluarën tek popullata do të shfaqë skepticizëm edhe tek garnitura e re qeveritare. Për këtë arsye para se të merren hapa drejt një formimi të qeverisë së re kusht sine que non do të jetë “pastrimi i oborrit” nga personat të cilët në të kaluarën janë përkujdesur vetëm për interesat e ngushta personale janë involvuar në skandale korruptive dhe mito, kështu duke e shkelur të mirën e përgjithshme të popullit”, tha për Memedi për gazetën Lajm.

Sot pjesë e bisedimeve për tejkalimin e krizës janë të njëjtat persona dhe parti që kanë sjellë krizën institucionale, të cilën duan tani ta bartin edhe në krizë ndëretnike. Prokuroria Speciale Publike e cila po merret me zbardhjen e përgjimeve në zyrat e saj ka ftuar shumë të dyshuar dhe dëshmitarë e që janë nga dy partitë që ishin në Qeveri derisa përgjohej- VMRO-DPMNE dhe BDI. Megjithatë, të njëjtit ishin edhe protagonistë të bisedave.

 

Enjoyed this video?
Politikanët dhe partitë, protagonistë të përgjimeve, nuk mund t’i udhëheqin proceset e ardhme politike
"No Thanks. Please Close This Box!"