Profesori strugan sqaron se pse anëtarët e BDI-së, lavdërohen me Selën më shumë se LR-PDSH-ja

Published on 11-05-2017

Një profesor i njohur shqiptar nga Struga është duke përgatitur studim shkencor lidhur me fenomenin e paraqitur që nga ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, pas të cilave anëtarët dhe simpatizuesit e BDI-së lavdërohen me figurën e Zijadin Selës, më tepër edhe se vetë anëtarësia e LR-PDSH-së. Studimin e vet e ka bazuar kryesisht në reagimet që ka vërejtur nëpër mediume, por edhe në rrjetet sociale. Ai është i bindur se këto reagime të çuditshme nuk kanë vetëm sqarim politik, por se duhet të studiohen edhe nga aspekti psikologjik.

“Është një strategji për ta larguar nga vetvetja ndjenjën e fajësisë. Anëtarët dhe simpatizuesit e mbetur të BDI-së, janë plotësisht të vetëdijshëm se ajo që ndodhi në Kuvend, e posaçërisht sulmi barbar ndaj Zijadin Selës, është pasojë e tolerancës që ka treguar qeveria ku merr pjesë BDI ndaj huliganëve maqedonas, që tani vite me radhë sulmojnë shqiptarët. Deri sot asnjë huligan nuk është dënuar për dhunën e përdorur ndaj nxënëve shqiptarë nëpër autobusë, ndaj shqiptarëve të Gjorçe Petrovit, Kumanovës, ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir. Edhe pse e fshehin publikisht, anëtarët dhe simpatizuesit janë të vetëdijshëm se duke përkrahur BDI-në, kanë përkrahur dhunën që ushtrohet në Maqedoni ndaj shqiptarëve, duke përfshi edhe rrahjen barbare të Zijadin Selës. Duke thurë tani lëvdata dhe duke treguar gjoja brengosje për shëndetin e Zijadin Selës, ata në mënyrë instinktive mundohen të krijojnë një mburojë nga ndërgjegjja personale ,që vazhdimisht i ngacmon dhe i pyet: Si munde për interesa personale të përkrahësh një parti si BDI-ja, që u bëri aq shumë dëm shqiptarëve?”, konstaton profesori në fjalë, i cili dëshiron të mbetet anonim deri në publikimin zyrtar të studimit të tij shkencor.

Shkaku i dytë sipas tij është se në mungesë të sukseseve reale, anëtarësia e mbetur e BDI-së është mësuar dhe stërvitur vazhdimisht të lavdërohet me arritje dhe heroizma të imagjinuar. “Në mungesë të heronjve të vetë më 27 prill, të cilët dolën miq me shërbimet sekrete dhe me huliganët që sulmuan Kuvendin, anëtarësia e BDI-së ka nevojë të lavdërohet me heroizmin e Zijadin Selës”.

Ai numëron edhe një moment të tretë dhe kyç, që sqaron nevojën dhe dëshirën për krekosje të BDI-stave me figurën e Zijadin Selës. “Në BDI ka mbetur strukturë e cila çmon vetëm pushtetin dhe beneficionet që i ofron pushteti. Tani kur kanë humbur përkrahjen nga votuesit shqiptarë, një pjesë e madhe e kësaj strukture të BDI-së, Aleancën për Shqiptarët dhe Zijadin Selën po e shohin si shpëtimtar për mbetjen e tyre në pushtet dhe për shfrytëzim të beneficioneve të pushtetit edhe kohë të caktuar. Tani kur kauza e BDI-së është shterur plotësisht dhe është demaskuar, ata mundohen të krijojnë kauzë me fatkeqësinë që i ndodhi Zijadin Selës, deri sa të krijohen rrethana tjera politike, që shpresojnë se do të jenë në favor të harresës nga ana e shqiptarëve të ‘arritjeve’ të BDI-së. Ky është shkaku se pse ata nga armiq të ashpër që shanin dhe ofendonin Zijadin Selën, tani janë shndërruar në strukturë që ngrit Selën deri në qiell”, thotë profesori strugan, i cili shton se për shkaqe të njëjta Zijadin Selën po e mbështesin edhe portalet e BDI-së.

A ekziston mundësia që këta anëtarë të BDI-së që po lavdërohen me figurën e Zijadin Selës, në zgjedhjet e ardhshme të bëhen anëtarë dhe votues të LR-PDSH-së? “Jo”, përgjigjet kategorikisht profesori nga Struga. “Përkrahja që e tregon kjo strukturë e BDI-së për Zijadin Selën nuk është e sinqertë, por e rrejshme. Është krekosje e përkohshme me suksesin apo heroizmin e tjetrit, në mungesë të heroizmit të figurave të partisë së tyre. Unë jam i bindur se paralelisht me lavdet që sot shprehin për Zijadin Selën, në nënvetëdijen e tyre ata veçmë kanë filluar të thurin sharje dhe ofendime ndaj Selës, që do ti shprehin nesër-pasnesër kur nuk do të kenë më nevojë për të”.

Profesori në fjalë thotë se simpatitë e stërzmadhuara dhe të çuditshme të anëtarve të BDI-së për Zijadin Selën, kanë shkaktuar habi te anëtarëia e LR-PDSH-së, e cila nuk din si të sillet në këtë situatë.

“Anëtarësia e LR-PDSH-së është anëtarësia me qëndrime më ekstreme kundër BDI-së, sepse në atë frymë ishin ‘ushqyer’ nga udhëheqësia partiake para zgjedhjeve. Ata tani ndihen pak të zhgënjyer, pak të mashtruar, por edhe të tradhtuar, deri sa çdo ditë lexojnë informacione se LR-PDSH, respektivisht Aleanca për Shqiptarët do të jetë partner, ose më mirë thënë shtyllë e BDI-së në qeverinë e ardhshme, në vend se të negociojë me partitë tjera shqiptare për të krijuar një bllok që do të margjinalizojë , ose do të përjashtojë plotësisht BDI-në nga qeveria e re reformatore. Anëtarësia e LR-PDSH-së vështirë se do të pranojë një sjellje të kryesisë partiake në këtë frymë. Për këtë arsye mendoj se dështoi edhe tubimi në përkrahje të Zijadin Selës që caktoi rini e LR-PDSH-së të mërkurën në Tetovë. Sela sa më shpejt që është e mundur, të pastrojë hutinë e shkaktuar para së gjithash, me apo pa vetedije nga sekretari i përgjithshëm i LR-PDSH-së Arben Taravari, dhe t’i sqarojë anëtarësisë, se LR-PDSH dhe Aleanca mbeten në përcaktimet e e shprehura para zgjedhjeve kundër politikave të dëmshme të BDI-së. Anëtarësia kërkon një LR-PDSH dhe një Zijadin Selë që ngren zërin kundër dëmeve që ua ka shkaktuar BDI shqiptarëve, e jo një lider që bashkëpunon me BDI-në. Përndryshe, anëtarët e partisë së tij, që 99 për qind kanë shpirt opozitar dhe kundërshtojnë politikat e BDI-së, mund të kërkojnë strehim te ndonjë parti tjetër opozitare”, përfundon profesori i njohur nga Struga.

Enjoyed this video?
selaaa_1493814884-6704266-1
"No Thanks. Please Close This Box!"