Promovohet libri `Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë`, fryt i dy Akademive Shqiptare

Published on 12-06-2017

Promovohet libri `Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë`, fryt i dy Akademive Shqiptare

Ndërkaq, recensentja e librit shpreson që ky libër t`i ndihmojë autoritetet shkencore dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë në vlerësimin e gjendjes shëndetësore të specieve frutore, hardhive, ullirit dhe agrumeve.

Të gjithë dashamirët e bujqësisë dhe studiuesit e saj që nga dita djeshme do të kenë në duart e tyre librin më të ri të titulluar “Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë”.

Ky libër është fryt i bashkëpunimit të kamotshëm mes Akademisë së Shkencave në Shqipëri dhe Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Kosovë.

Libri i cili është realizuar falë punës së palodhshme të 27 autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, u promovua sot në Panairin e Librit në Prishtinë. Për dy nga autorët e këtij libri, Latif Susuri dhe Bashkim Koronica ,të cilët ndërruan jetë gjatë periudhës së përgatitjes , u mbajt një minutë heshtje si shenjë respekti dhe falënderimi.

“Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë” përmban një sërë hulumtimesh të reja në degë të ndryshme të bujqësisë, fokusuar në pemëtari dhe vreshtari.

Efigjeni Kongjika, një prej autorëve dhe redaktorëve të këtij libri, uroi që botime të tilla të ketë sa më shumë në gjithë hapësirën shqiptare.

“Problemet në Kosovë dhe Shqipëri i kemi parë me sy pak kritik, çfarë mungon në mbarëvajtjen e pemëtarisë dhe vreshtarisë në Shqipëri dhe Kosovë dhe mendojmë se vepra që kemi nxjerrë është një kontribut për të gjithë specialistët në Shqipëri dhe Kosovë për ngritjen e një sistemi të përbashkët të certifikimit në prodhimin e materialit bimor të kategorisë bazë, pra të fidanit”, tha Kongjika duke shtuar më tutje se ky botim është realizuar me ndihmën e specialistëve të njohur në fusha të ndryshme të frutikulturës, të fitopatologjisë dhe biologjisë molekulare.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë zgjoi interesim të madh të publikut, i cili ishte i shumtë në promovimin e librit më të ri nga dy Akademitë.

Feriz Krasniqi nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit duke e konsideruar nder një interesim të tillë.

“Bashkëpunimi mes dy akademive, që është një bashkëpunim shumëvjeçar ka dhënë rezultate të mrekullueshme duke afirmuar kështu shkencën shqiptare. Në këtë drejtim është punuar dhe janë publikuar një varg fjalorësh siç është Fjalori i emrave të bimëve, Fjalori shpjegues i termave të botanikës duke dhënë kështu një kontribut të çmueshëm në këtë drejtim, një punë kjo madhore mes dy akademive”, tha Krasniqi i cili falënderoi në veçanti profesoreshën Efigjeni Kongjika, duke e quajtur forcë motorike të lëvizjes së publikimeve të dy akademive.

Puna e Agim Zajmit u veçua gjithashtu nga panelistët. Zajmi i cili është autor por edhe redaktor shkencor i këtij libri, tha se “Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë” është një ndërmarrje shkencore , e para e llojit të vet në gjuhën shqipe.

“Botimi synon të japë një përmbledhje të traditës dhe gjendjes aktuale të pemëtarisë, vreshtarisë, ullishtarisë dhe agrumikulturës duke vënë theksin në prodhimin e fidanëve si pikënisje për një ardhmëri të këtij sektori të rëndësishëm për bujqësinë e vendeve tona”, pohon Zajmi.

Ndërkaq, recensentja e librit shpreson që ky libër t`i ndihmojë autoritetet shkencore dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë në vlerësimin e gjendjes shëndetësore të specieve frutore, hardhive, ullirit dhe agrumeve.

Ndryshe, në Panairin e Librit në Prishtinë i cili do të mbyllet nesër, u ofruan më shumë se 1000 tituj nga botues të ndryshëm shqiptar. / KultPlus.com

Enjoyed this video?
Promovohet libri `Pemëtaria dhe Vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë`, fryt i dy Akademive Shqiptare
"No Thanks. Please Close This Box!"