Qytetarët duan së pari llogaridhënie, e pastaj premtime

Published on 07-09-2017

Shkup, 6 shtator- Para se të dalin e të premtojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, kandidatët për kryetar komunash duhet të japin llogari para qytetarëve, sepse tashmë disa vite, në disa cikle zgjedhore premtojnë, por llogaridhënien e harrojnë. Kështu vlerësojnë për gazetën Lajm njohësit e rrethanave politike.

Iljasa Salihu, publicist, pohon se kandidatët për kryetarë komunash që garojnë për herë të parë, duhet ta kenë parasysh se qytetarët janë të lodhur prej premtimeve shterpe dhe pa mbulesë.

“Duhet ditur se qytetari premtimet i dëgjon, por tashmë nuk u beson. Ata që udhëhoqën me komunat, krijuan një përshtypje të tillë. Ata kërkuan përgjegjësi, por kurrë nuk dhanë llogari, mbase as që këmbëngulën qytetarët për llogari, thuajse thellë ishin të bindur se kryetarët as që ia varin kërkesave të qytetarëve”, tha Salihu për gazetën Lajm.

Ai shton se kandidatët që garojnë për herë të dytë, tretë apo të katërt, patjetër të vihen në shënjestrën e llogaridhënies. Çfarë premtuan e çfarë jetësuan?

“Përndryshe nëse edhe njëherë kalojnë pa një gjemb në këmbë, atëherë tallja me qytetarët do ta ketë një kuptim. Këta që garojnë për herë të parë, premtimet duhet t’i arsyetojnë. Nëse premtojnë diçka, menjëherë të na tregojnë se si do të bëhet zbatimi, sidomos aspektin financiar në zbatimin e projekteve të ndryshme”, shtoi ai.

Salihu është i mendimit se kandidatët për të parin e komunave nuk duhet të premtojnë shumë, por për ato pak premtime duhet të na bindin se do t’i zbatojnë, që nesër të mund të japin lehtësisht llogari para qytetarëve, gjegjësisht duhet ta kenë parasysh dhënien e llogarisë para kërkimit të përgjegjësisë.

Kryetari i shoqatës ekologjike, Eco-Guerila, Arianit Xhaferi për gazetën Lajm thotë se, kandidatët për kryetarë komunash duhet medoemos t’u ofrojnë qytetarëve projekte të realizueshme dhe të mos premtojnë gjëra që nuk do arrijnë t’i bëjnë.

“Vetëdija qytetare sa shkon e rritet dhe është për të mirën e kandidatëve që të premtojnë atë që mund ta bëjnë sepse qytetarët do ju kërkojnë llogaridhënie. Jemi mësuar me premtime të mëdha, por që rëndom kanë rezultuar fjalë boshe, dhe jemi lodhur nga mashtrime të tilla parazgjedhore, prandaj përveç kandidatëve që duhet të bëjnë kujdes, rol të rëndësishëm në këtë duhet të luajë dhe media e cila duhet të analizojë premtimet, nëse janë ose jo të realizueshme, dhe të njëjtat t’i publikojë ditë pas dite derisa zgjat fushata”, deklaroi Xhaferi.

Zgjedhjet lokale në Republikën e Maqedonisë janë caktuar për 15 tetor të këtij viti.

 

 

Enjoyed this video?
111
"No Thanks. Please Close This Box!"