Roland Garros, gati Grand Slami i dytë i vitit

Published on 28-05-2017

Turneu i dytë Slam i vitit është vetëm pak ditë larg, madje në kryeqytetin francez kanë përfunduar edhe ndeshjet kualifikuese, sidoqoftë zhvillimet e fundit kanë shtuar ndjeshëm interesin dhe Kupa e Musketierëve këtë herë pritet plot emocion nga të gjithë të apasionuarit e tenisit. Disfata në Foro Italico me austriakun Dominic Thiem është e para për këtë sezon në “clay court” për 9 herë kampionin Rafael Nadal, që u ndal në “Qytetin e Përjetshëm” pas plot 17 fitoreve radhazi në fushat me dhe. Dy titujt Masters në Montecarlo dhe Madrid natyrisht e bëjnë Rafën favoritin kryesor për të triumfuar sërish në Roland Garros, kompeticion ku Nadal ka regjistruar njëherësh edhe suksesin e vetëm përsa i përket aktiviteteve Slam në 13 turnetë e fundit. Pasi mundi “Mbretin e fushave me dhe në Romë ” Thiem u poshtërua vetëm një ditë më vonë nga Novak Djokovic dhe që të gjithë mendonin se numri 2 i botës do të festonte 30-vjetorin me titullin e parë të rëndësishëm në këto dhjetë muajt e fundit, megjithatë Alexander Zverev përmbysi krejtësisht parashikimet duke u bërë kështu tenisti më i ri që fiton një trofe Masters 1000 që nga turneu i Miami-t, një dekadë më parë, ku triumfoi në moshën 19-vjecare pikërisht tenisti serb. Suksesi i tenistit gjerman bën që Djokovic dhe Nadal të mbeten të mbërthyer në kuotën 30, përsa i përket titujve Masters, sidoqoftë duke lënë mënjanë momentet e nervozizmit në Romë Nole u duk shumë më mirë, prandaj kuptohet qartë që në Paris që të gjithë do të kenë frikë për të dalë përballë kampionit në fuqi. Nuk mund të përjashtohet aspak nga lista e tenistëve favoritë as Andy Murray, që 12 muaj më parë u ndal në finale nga Djokovic, ndonëse tenisti britanik fitoi setin hapës të atij takimi, gjithsesi pavarësisht formës së dobët në fushat me dhe Andy vazhdon të ruajë statusin e numrit 1 të botës, me afërsisht 3.000 pikë më shumë sesa Nole, për më tepër javën e shkuar kaloi Atlantikun Ivan Lendl që tashmë do të bashkojë forcat me Jamie Delgado-n, për të ndihmuar tenistin skocez si në Roland Garros ashtu edhe në Wimbledon. Meqë jemi te trajnerët, Djokovic më në fund vendosi për t’i besuar Andre Agassi-t rolin si “supercoach”, ndërsa Roger Federer po bëhet gati për në All England Club dhe dihet nga të gjithë që “Mbreti Roger” nuk do të marrë pjesë as në Paris, kështuqë Nadal tashmë kryeson me 4.915 pikë, të grumbulluara vetëm gjatë vitit 2017, pra plot 870 pikë më tepër sesa veterani zviceran. Një tjetër zviceran Stan Wawrinka ka siguruar 3 tituj Slam në tre vitet e fundit. 32-vjecari nga Lozana ka treguar qartë se është i aftë për të përfituar dhe shembulli i vitit 2015 ku mposhti Nolen në finale tregon qartë që Stan nuk është ngjitur rastësisht në vendin e tretë, në klasifikimin e përgjithshëm ATP. Surpriza të këndshme mund të vijnë gjithashtu edhe nga emra të tillë si Kei Nishikori, David Goffin, Grigor Dimitrov dhe Nick Kyrgios gjithsesi kurioziteti më i madh është sërish për tenistët Dominic Thiem dhe Alexander Zverev, të cilët me talentin e tyre pritet që shumë shpejt të përmbysin hierarkinë e këtij sporti. 22-vjecari nga Wiener Neustadt që aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë është vetëm 215 pikë larg kanadezit Milos Raonic me tenistin austriak që numëron 29 fitore në këtë sezon, ndërkaq Sasha Zverev që këtë sezon ka siguruar vetëm dy fitore më pak në krahun tjetër në moshën 20-vjecare bëhet sportisti më i ri që nga koha e Juan Martin Del Potro-s, në vitin 2008 që hyn mes 10 më të mirëve të botës, pa harruar edhe faktin që me këtë sukses 20-vjecari nga Hamburgu u bë gjithashtu tenisti i parë që ka lindur nga viti 1988 e këtej që ia del mbanë për të koleksionuar një titull Masters 1000.

Enjoyed this video?
panoramic_j10rg31052011_010-750x410-658x360
"No Thanks. Please Close This Box!"