Shkruan Xhemal Ahmeti: Të gjithë pro Gruevskit dhe Zaevit. E kush për shqiptarët?

Published on 08-10-2017

Nga frika e humbjes edhe më të thellë, dy partitë shqiptare «BDI» dhe «Besa» kërkojnë vota për partitë VMRO dhe LSDM. Jo për vete. Ato u thonë shqiptarëve se jeta e tyre mund të rregullohet vetëm nëse duan njëri prej këtyre e jo se e meritoni si njerëz drejtësinë, barazinë, lirinë. Ky teatër absurd parapolitik asistohet nga mediat kosovare. Pse?

Xhemal AHMETI

Ali Ahmeti në Saraj e gjetiu kërkon votën shqiptare për Zoran Zaevin.

Afrim Gashi dhe tjerët e «Bëses» kërkojnë votën për Gruevskin.

Si asnjëherë më parë mediat kosovare si GazetaExpress, KlanKosova, gjuhëtmerruesja Jeta Xharra – e për shumicën e mediave në Maqedoni as mos flasim – afirmojnë VMRO-në dhe «Besën» në atë formë sikur të ishin në dyluftim me yjet, historinë shqiptare dhe vetë shqiptarët atje.

Siç vërejmë kemi dy grupe që betejshëm luftojnë që të fitojë Gruevski ose Zaevi.

Partitë shqiptare si BDI dhe Besa e bëjnë nga frika. Mediat kosovare e bëjnë për para.

Partive shqiptare u ka hy frika në palcë nga tkurrja që u ndodhë dhe përfshirjen vertikale të masave në terren drejt Aleancës për Shqiptarë.

Mediat kosovare “tendencën” për të marrë sa më shumë ndikim tek shqiptarët e Maqedonisë nuk e bëjnë për më shumë demokraci, pluralizëm, barazi, drejtësi në interes të atyre që flasin të njëjtën gjuhë si ata (?), por siç thamë për pare. Po ta bënin ndërhyrjen atje pro shqiptarëve të Maqedonisë ose për barazi do t’u ngjante si Edi Ramës. Ivanovi do t’i akuzonte i pari. Gruevski do padiste haptas e Zaevi fshehtas ashtu siç bënë e bëjnë vazhdimisht. Por jo, këta heshtin: ngase janë vetë shkaktuesit e interesit dhe veprimit të mediave kosovare.

Këtë sceneri e sheh çdokush. E din edhe ai që s’di të lexoj. I mjafton televizori dhe ka mundësi të dëgjojë. Ata që lexojnë vërejnë se portalet janë bërë dyqane maskarenjsh, të përdorshme nga politika dhe mafitë saherë këto të kenë nevojë për ta – disat edhe atëherë kur s’kanë nevojë për t’i ruajtur “myshterinjtë”.

Edhe një herë: Ali Ahmeti kërkon vota për Zaevin, Besa me mediat kosovare për Gruevskin.

Kush kërkon barazi, drejtësi, demokraci e jo etnokraci, të drejta qytetare e kulturore?

Kush ngul këmbë të rehabilitohen viktimat e proceseve të montuara politike? Kush kërkon llogari për plaçkitjen e komunave shqiptare në favor të komunave joshqiptare? Kush kërkon të drejtë kushtetutare në gjuhë, identitet e shtetëformim?

Ali Ahmeti dhe Besatarët jo. Ata janë në kampanjë për t’i mbledhur vota Gruevsklit dhe Zaevit. Dhe jo vetëm kaq: këto dy parti janë shkaktare edhe për përçarjen brenda ASH-së që e bënë ndërmjet RDK-së e që dihej qysh para se të ndodhë. Ky fakt tregon se për përmasat e destruksionit brenda faktorit shqiptar që bëjnë këto parti.

Gruevski është përgjegjës dekadash pse shqiptarët janë këtu. Zaevi është mashtrues ordiner që tallet me shqiptarë duke shfrytëzuar «mbetjet jugosllave» që t’i mbajë të përçarë.

Liderët e këtyre partive nuk janë Junci të llojit siç i kërkonte Konfucio gjashtë shekuj para erës sonë, pra tipin: e ndershëm, të pakorruptuar, besnikun e idealeve që përfaqëson, të sinqertin, të virtytshmin se vetëm kështu populli i tij fiton të Mirën, pra kur ai është Shembulli absolut i saj.

Ja, egocentriku neoliberal do na thotë se nuk jemi para erës sonë, kështu që duhet ta pranojmë botën siç është, kështu e ngritur në bazë të interesave të egra. Ne iu kundërvihemi me Jean Jacques Rousseau, Frank Knight, Robert Nozik, Geral Cohen, John Rawl dhe me Amartya Sen [1762-2009] që nobelin e fitoi pikërisht me «Idenë e barazisë» dhe të cilën e kushtëzon po me atë liderin, politikanin e Konfucios: ai duhet të jetë i aftë për të triumfuar kontrata të barabarta shoqërore ndërmjet shtetit dhe individëve.

Kontrata të barabarta? As gjuhën s’ta njeh ose të tall ti kërkon kontrata?!

Kështu të ulërijnë njerëzit pa ideal në favor të tjerëve.

Uluruesit e këtij soji siç stërpotencuam, liderët shqiptarë që i përfolëm më lartë atje dhe mediat e tyre pra nuk e kanë këtë hall – drejtësinë dhe barazinë për gjithë qytetarët njësoj.

Duhet të fitoj Gruevski donë njëra palë e Zaevi është profeti postjugosllav për tjetrën palë.

Vetëm një lider deri tani ende ka që mundësi të bëhej Junci i Konfucios dhe politikani ideal i Senit për të luftuar me idenë e barazisë: Zijadin Sela! Natyrisht nëse edhe këtij nuk ia hanë delet si Ali Ahmetit “zorraxhinjtë”, grykësit, postjugosllavët dhe fundamentalistët që bashkë me tjerët partinë e tij përlajnë.

Për këto zgjedhje mirëpo është vetëm ai. Fatkeqësisht, por edhe i tepërt kur sheh se ende kanë aq shumë ithtarë satelitet e dy partive të bllokut tjetër.

Dhe ai mund të fitojë vetëm nëse nuk triumfojnë mediat në kor si lartë, por të tilla si “Agora” e politologut Xhenis Sulimani në Lajm.TV dhe disa tjera që më në fund, përfundimisht falë i qofshim fatit, si duket kanë kuptuar se liria dhe barazia, demokracia kualitative nuk vjen duke u shitur herë andej e herë këndej. Këto kanë filluar të jenë objektive e jo të afirmojnë organizueshëm të vërtetat e partive si Besa, BDI, VMRO e të llojit, që se kujt i shërbejnë vetëm Zoti e di. Qytetarëve, interesave të tyre, me siguri jo.

Është “Agora” e Sulimanit në “Lajm” të Maqedonisë një ogur i mirë? Një sinjal se edhe atje mund të bëhen media objektive, korrekte në favor të qytetarëve, barazisë, drejtësisë dhe lirisë pa qenë të kapura nga interesa instrumentistësh të feve e nga argatë qendrash që s’kanë të bëjnë me besimtarë por thjeshtë me shërbyes banditësh politikë me shumë para apo firmash që jetojnë nga fitimet e markës “hallall” e pas tyre qëndron më i madhi djall?

Si duket po. Mediat e lartpërmendura, ato agjitatoret e bllokut të keq, mëkot mashtrojnë financuesit e tyre se do fitojnë. Domosdo ato do të ndikojnë për të zgjatur jetën e krimit, tmerrit dhe poshtërimit edhe për ca kohë ndaj qytetarëve të origjinës shqiptare atje, por të fitojnë – jo, kurrë. Jo se përndryshe teoria e Konfucios nuk do kishte mbijetuar 27 shekuj deri tek Amartya Sen. Tipi i njeriut racional që kur del pasa kësaj vitrine plot korrupsion, komplot dhe tmerr, ikë, del dhe hynë portave në atë grup me më të pastrin, është ai në ardhje e sipër, si masë, si e ardhme që s’ka si harron të sotmen dhe akterët e saj. Ngase sot edhe analfabeti që s’di të lexojë ne televizor sheh: Kush është i sinqertë dhe kush për të njëmijtën herë gënjen.

Përfundimi i këtij ligjërimi moral prandaj mund të jetë vetëm ky: Votuesit shqiptarë në Maqedoni duhet të dëshmojnë se nuk e japin votën as Gruevskit as Zaevit, as atyre që luftojnë për ta. U japin votën atyre që duan kontrata barazie, drejtësie dhe demokracia pluraliste ku nuk fiton ai që ka vjedhur më së shumti para, por ai që paratë e vjedhura donë me nderë t’i shpërndajë – në masë, atje ku jetojnë skamnorët, atje ku janë shkollat pa nxehje, drita, atje ku i riu me diplomën e masterit lyen këpucët e agjentëve të korruptuar financiarë që vetëm një burim kanë për ta mbajtur luksin gjallë – mjerimin e tjerëve!

Pabarazia, padrejtësia, skamja selektivisht e shkaktuar janë kundër çdo besimi, religjioni, etike, sistemi juridik e shkolle sado djallëzore. Prandaj të përkrahësh Gruevskin e Zaevin (si BDI dhe BESA) duke rrezikuar fuqi politike për shqiptarë donë të thotë të jesh si ato speciet katërkëmbëshe që gjuetarët marrin me vete për të shkoqur lepuj maleve e fushave. Të cilët saherë s’ka lepuj kthehen kolibeve të tyre të rrahur nga gjuetarë, me thera gjithandej lëkurës dhe me turinj të përgjakur nga urithë, e qenie kafshë tjera agresive nëntokësore.

Pikërisht ky imazh si duket ka pushtuar parafytyrimin e shqiptarit të Maqedonisë. Ai ka kuptuar. Ose shumë kanë kuptuar se kjo mizëri por tjerëve e kundër vetes e partive shqiptare vjen nga frika që i ka kapluar keqas. E dinë që Zijadin Selën nuk e mundin më dot vetë. E nëpërmjet tjerëve ia kanë dalë tash e tridhjetë vjet. Do t’ia dalin edhe kësaj radhe? Të shpresojmë se jo!

*Shkrimi është shkruar enkas për Special.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Special.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Enjoyed this video?
xhemal-ahmeti
"No Thanks. Please Close This Box!"