Shokon amerikani: Nuk duhet xhamia në Prishtinë, Kosova është agjendë islamike e Erdoganit

Published on 30-09-2017

Në intervistën që David Phillips, nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut i cili është pjesë e Universitetit të Colombias, i ka dhënë KTV-së ka folur edhe për korrupsionin.

Ka folur edhe për atë se si e sheh ai fokusin e administratës Trump në raport me Ballkanin Perëndimor.

E ka quajtur qesharake idenë e ndërtimit të një xhamie të madhe në Prishtinë. Ka thënë se Turqia po provon të shtrijë ndikimin e vet këtu duke e përdorur agjendën e saj islamiste dhe neo-otomane

Ju keni qenë kritik me qeveritë e kaluara për mënyrën se si e kanë menaxhuar luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar dhe të ngjashme. A keni shpresë se qeveria e re do t’ia dalë mbanë?

Ka hapësirë për përmirësim dhe unë shpresoj se kjo qeveri do të punojë më mirë. Një nga kushtet për liberalizimin e vizave është luftimi i korrupsionit. Besoj se qeveria aktuale është e përkushtuar për ta bërë këtë. E kemi parë në të kaluarën se rastet e kriminalitetit dhe korrupsionit kanë qenë tepër të larta. Është koha që Kosova të sillet si shtet i vërtetë dhe që të shihet në praktikë procesi i shtet-ndërtimit. Nuk ka të bëjë vetëm me retorikën.

Ju keni punuar me administratat e kaluara amerikane dhe ne e dimë se bota ndryshoi kur zoti Trump u zgjodh President. A do të ndryshojë politika amerikane në raport me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe në veçanti ndaj Kosovës?

Është herët për ta thënë edhe 8 muaj pas administratës së re. Deri më tani, administrata e Trumpit është fokusuar në çështje të mëdha, siç janë programet bërthamore të Iranit dhe Koresë Veriore. Nuk e ka prekur ende Rusinë dhe ndërhyrjen e saj në zgjedhje. Çështje të tjera ku SHBA-ja mund të bëjë diferencën, siç është dialogu Kosovë – Serbi, ajo nuk ka qenë e përfshirë. Ne e dimë se kudo në botë kur ka një hapësirë të zbrazët, duhet të jetë SHBA-ja që ta plotësojë. Nëse SHBA-ja nuk e mbush këtë hapësirë, vjen në shprehje politika neo-imperialiste e Rusisë, apo politika neo-otomane islamiste e Turqisë, që provojnë të plotësojnë këtë hapësirë. Asnjëra prej tyre nuk janë në interesin e Kosovës. Kosovarët janë nacionalistë, nuk janë islamistë. Është krejt i panevojshëm plani për një xhami të madhe në qendër të Prishtinës. Religjioziteti është i mirë, besimi është i rëndësishëm, por mbi simbolet, Islamizmi nuk ka vend në këtë shoqëri.

Jeni kundër ndërtimit të një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës?

Është ide qesharake. Kush e ka kërkuar këtë? Kushton 44 milionë dollarë, më shumë sesa që Turqia ka kërkuar për privatizimin e KEK-ut apo Aeroportit. Është shpenzim i panevojshëm i parave. Le t’i përdorim këto para për zhvillim social e ekonomik, për arsim apo për fuqizimin e grave. Nuk e di se nga ka ardhur kjo, apo pse po ecën përpara.

E kanë kërkuar besimtarët, pasi që thonë se në lutjet e së premtes xhamitë janë të mbushura dhe nuk kanë ku të luten.

Jam i sigurt që mund të gjejmë një vend tjetër për ta për t’u lutur se sa një xhami 44 milionë dollarëshe me qendër tregtare.

Do të paguhet nga Turqia.

Po, Turqia e paguan faturën. Nuk jam i sigurt se populli i Kosovës kërkon xhami të madhe. Ata duan një vend ku mund të luten dhe kjo është e arsyeshme. Nuk kam problem me njerëzit e asnjë feje që tregojnë përkushtimin e tyre. Por, ky nuk është simbol i devocionit. Është instrument i politikës së jashtme të Turqisë. Është përpjekje për ta minuar identitetin kombëtar shqiptar dhe për ta kufizuar ndikimin amerikan në këtë rajon. Kjo xhami nuk ka vend në Prishtinë.

Këtë dua t’ju pyes, sepse keni shkruar për atë që ju e shihni si përpjekje të Turqisë për të pasur ndikim të madh në Kosovë. Ju thoni në artikujt tuaj se shumica e shqiptarëve janë myslimanë, por nuk janë religjiozë dhe janë përkrahës të Perëndimit dhe SHBA-së.

Shqiptarët që unë kam njohur ndër vite, e të cilët janë shumë, janë nacionalistë. Nuk janë islamistë. Turqia provon të shtrijë ndikimin e vet këtu duke e përdorur agjendën e saj islamiste dhe neo-otomane. Vërtet mendoni se ata e kanë në zemër interesin e qytetarëve të Kosovës? A po i përdor TIKA gjithë këto para sepse duan zhvillim social dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës? Natyrisht që jo! Këto janë instrumente të politikës së jashtme të Turqisë për të rritur ndikimin e vet. Prandaj, kjo nuk ka vend në Ballkan. Njerëzit këtu duhet të ngrihen dhe të vendosin sovranitetin dhe pavarësinë e tyre nga imperlistët e Rusisë dhe islamistët e Turqisë.

I gjithë ky ndikim i Rusisë dhe Turqisë ndodhte edhe në kohën e Presidentit Obama, së paku në mandatin e tij të dytë. A ishte zbehur interesimi i SHBA-së për rajonin edhe para se të vinte administrata e Trumpit?

Unë e kam thënë publikisht se administrata e Obamës e humbi përqendrimin, jo vetëm nga ky rajon, por edhe nga pjesë të tjera të botës. Ata u zmbrapsën dhe lejuan që të fitojnë terren interesa që janë armiqësore për SHBA-në. Ishte gabim i madh që të hiqej dorë nga roli udhëheqës i SHBA-së në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo që shohim tash me imperializmin rus dhe islamizimin turk, është rezultat i mosudhëheqjes së punëve nga ana e administratës Obama për ndikimin amerikan.

Presidenti Thaçi do të takohet me zv.presidentin Pence këtë javë. A është kjo shenjë pozitive që Shtëpia e Bardhë është e hapur për Kosovën?

Është mirë që zv.presidenti Pence është bërë njeriu me të cilin duhet biseduar për çështjet e Ballkanit. Por, këto takime nuk mund të jenë vetëm për fotografi dhe ceremoniale. Është e rëndësishme për Hashim Thaçin që të bëjë kërkesa në drejtim të SHBA-së. Të thotë se ne duam që SHBA-ja të caktojë një figurë të lartë të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam që SHBA-ja të inkurajojë BE-në të krijojë një sistem monitorues që do të raportojë për progresin në dialog. Bashkëpunimi transatlantik gjithmonë ka qenë krucial për Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e SHBA-së. Dhe Hashim Thaçi ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Ai duhet t’ia kujtojë Mike Pencet pse Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm, pse Kosova është partner i rëndësishëm për SHBA-në. SHBA-ja nuk ka shumë miq në botë, por nuk kemi miq më të mirë se shqiptarët. Dhe kurdët. Prandaj, ne duhet të kujdesimi për interesat e miqve tanë. Kjo është e rëndësishme.

A e përkrahni referendumin e kurdëve në Irakun Veriore?

Po, 100 %. E kam thënë gjithmonë se kurdët në Irakun Verior e meritojnë pavarësinë. Ata kanë një thënie: Kurdët nuk kanë miq, pos malet. E unë them që në Irak SHBA-ja nuk ka miq të tjerë, pos kurdëve. Dhe, ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të punojmë me kurdët që projekti i shtet-ndërtimit të kulmojë, jo vetëm me referendumin e pavarësisë, por edhe me negociata me Bagdadin për një shkëputje miqësore dhe një lloj marrëveshjeje me Irakun e Turqinë, në mënyrë që rajoni të vazhdojë në paqe dhe prosperitet.

A duhet Katalonia të ndahet nga Spanja, atëherë?

Nuk jam ekspert për Kataloninë, prandaj…

E krahasojnë me Kosovën, prandaj po pyes.

Unë besoj në ndarjen e pushtetit. Ka pjesë kushtetuese që i lejojnë grupet e ndryshme t’i gëzojnë të drejtat e tyre politike, kombëtare dhe kulturore. Kjo, jo domosdoshmërisht duke e ndarë një shtet. Nëse mund ta bëjnë këtë dhe qeveria qendrore u jep hapësirë për t’i realizuar interesat e tyre kombëtare, nuk kemi pse ndajmë shtete. Por, nëse kjo nuk ndodh, atëherë njerëzit kanë të drejtë për vetëvendosje dhe sikurse Kosova që e ushtroi të drejtën e vetëvendosjes, të njëjtën duhet ta bëjnë edhe të tjerët dhe për këtë duhet ta kenë përkrahjen e SHBA-së.

Për fund, dua t’ju pyes përsëri për kohën se kur duhet të arrihen këto marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Na duhet një afat. Ne rekomandojmë që kjo të jetë brenda 18 muajsh, me mundësinë e zgjatjes edhe për 6 muaj që nga data kur rinis me pjesëmarrjen e lartë të BE-së dhe përfaqësuesve të SHBA-së. Zonja Mogherini i ka edhe disa vjet në mandatin e vet. Ajo dëshiron që të ketë një marrëveshje që është e qëndrueshme. Marrëveshja duhet të përfshijë njohjen e Kosovës nga Serbia. Nëse mund ta bëjmë në mandatin e Mogherinit, kjo do të ishte shumë mirë për të gjithë të përfshirët. Sa më parë, aq më mirë, sa më gjatë që shkon, bëhet më e vështirë.

Enjoyed this video?
xhamianeprishtine
"No Thanks. Please Close This Box!"