Shumica e re e vendosur për formimin e Qeverisë

Published on 29-04-2017

Shumica e re parlamentare shprehet e prerë se së shpejti do të vijojë procesi i formimit të institucioneve demokratike.  LSDM-ja sot i bëri thirrje ish kreut të kuvendit Trajko Veljanovski që urgjentisht t’ia dorëzojë funksionin kryeparlamentarit të sapo zgjedhur Talat Xhaferi. Nga partia e Zaevit gjithashtu bën thirrje që qytetarët të mos bien pre e skenarëve të Gruevskit të cilat synojnë rrënimin e proceseve demokratike dhe largojnë vendin nga integrimet euro-atlantike.

 Shumica parlamentare është e përcaktuar për vendosjen institucioneve funksionale, sundimin e ligjit dhe drejtësisë. Dhuna në parlament e nxitur nga Nikolla Gruevski, Gjorge Ivanov, Trajko Veljanovski, Mitko Çavkov  dhe një grup i bashkëpunëtorëve të tyre që kanë të vetmin qëllim shmangien e përgjegjësisë për krimet e bëra, përfshi ato në parlament me sulmin ndaj deputetëve, gazetarëve dhe punonjësve të kuvendit nuk guxon të përsëritet. Për këto veprime do të ketë përgjegjësi –  thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Një ditë më parë edhe krye-parlamentari i ri Talat Xhaferi konfirmoi se shumica parlamentare do të vijojë konstituimin e organeve të tjera të kuvendit dhe qeverinë menjëherë pas festës së 1 majit.

 Siç kemi thënë edhe më herët do të vazhdojmë me aktivitetet që burojnë nga shumica parlamentare pas festave. Kjo është një situatë që kërkon dhe përkon me nevojën për krijim të institucioneve të reja që mund të jenë funksionale, stabile dhe në përputhje me ligjin – tha Talat Xhaferi, kryetar i ri i Kuvendit.

Por VMRO DPMNE-ja është kërcënuar sërish me popullin madje duke arsyetuar dhe dhunën në rast se siç thonë LSDM-ja vijon planin për ridefinimin e shtetit.

  Dhuna politike e LSD-së mund të rezultojë vetëm me dhunë fizike. Përpjekja joligjore e strukturave kriminale të LSD-së ta vetë-shpallin Talat Xhaferin për kryeparlamentar ishte provokim i drejtpërdrejtë ndaj popullit maqedonas. Sjellja e tillë e turpshme e strukturave servile dhe të kërcënuar të LSD-së nxitë mllefin dhe irriton qytetarët e këtij vendi që nuk pajtohen me planet për ridefinimin dhe shkatërrimin e tij – thuhet në komunikatën e VMRO DPMNE-së.

Vetë kreu i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski një ditë më parë relativizoi pushtimin e kuvendit nga mbështetësit e kësaj partie dhe theksoi se dhuna ndaj krerëve të LSDM-së Zoran Zaev dhe të LR PDSH-së,  Ziadin Sela ishte si rezultat i deklaratave të tyre.

Semra Musai

Enjoyed this video?
qeveriaRm
"No Thanks. Please Close This Box!"