Terrori psikologjik dhe kërcënimet luftënxitëse në Maqedoni

Published on 18-02-2017

abdulla-mehmeti

(Rishfaqja e frymës terroriste të internacionales së zezë çetnike)

Organet kompetente të pushtetit, por edhe faktori ndërkombëtar, duhet të ndërmarrin masa urgjente parandaluese, pa u hamendur gjatë, kundër individëve dhe grupeve ekstremiste, shoviniste dhe luftënxitëse në Maqedoni, të cilat ditëve të fundit ushtrojnë terror psikologjik mbi popullatën, kërcënojnë individë dhe familje, mediume, institucione dhe subjekte politike e jopolitike, me çka pamundësojnë zhvillim normal të dialogut për formimin e qeverisë së re, ose gjetjen e një zgjidhje optimale për tejkalimin e krizës politike në vend.

Në kohën kur janë ngritur të gjithë lugetërit e vendit, rajonit dhe më gjerë për shtrirjen e dhunshme të ndikimit të tyre mbi popujt dhe shtetet më të vogla e të pafuqishme, duke shfrytëzuar krizën e përgjithshme politike dhe ekonomike në vend, çdo përpjekje nga individë dhe grupe ekstremiste duhet patjetër të parandalohet, të denoncohet dhe dënohet në formën më të ashpër.

Forcat progresive, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, bindjeve politike dhe përkatësisë partiake, janë mobilizuar kohën e fundit për kundërshtimin e kësaj fryme luftënxitëse, e cila e provokon destabilizimin e vendit dhe rajonit, duke e rrezikuar edhe paqen ndërkombëtare, por, kjo nuk do të mjaftojë pa përkrahjen edhe të institucioneve kompetente të pushtetit, përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar, i cili duhet ta caktojë vijën e kuqe të veprimit të këtyre forcave retrograde, fosile të shërbimeve sekrete të huaja dhe organizatave terroriste nga e kaluara jo e largët në këto hapësira.

Është momenti i fundit për dhënien e alarmit, me tolerancë zero ndaj këtyre pjesëtarëve të internacionales së zezë çetnike.

 

Enjoyed this video?
abdulla-mehmeti
"No Thanks. Please Close This Box!"