Thellimi i krizës politike u ndihmon atyre që duan të ikin nga drejtësia

Published on 09-03-2017

Thellimi i krizës politike u ndihmon atyre që duan të ikin nga drejtësia

Nga këndvështrimi i Bakiut esenca nuk është kriza të vazhdohet, por të thellohet për t’u shmangur çdo kujtesë rreth rasteve të PSP-së dhe krijim i një problemi të ri.

Partitë politike nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre e as Ivanovi nuk e ka ndërmend të ndërrojë qëndrim në raport me LSDM-së dhe Platformën e partive shqiptare. Kjo gjendje e ka sjellë vendin në status quo. Njohësit e rrethanave politike janë të mendimit se thellimi i krizës shkon në dobi të atyre që duan të ikin nga drejtësia.

“Vazhdimi apo thellimi i krizës i konvenon aktorëve, të cilët janë të dyshuar për krime e që janë pjesë e hetimeve të PSP-së për raste të dyshimta. Në fakt edhe Ivanov kontriboui në lojë me qëllim që të shkaktohet kriza. Nuk e di deri ku mund të shkoj çmenduria e tij, por me vete faktin që bëri një veprim të tillë, gjithçka është e pritshme. Maqedonia është demokraci parlamentare, presidenti ka funksion ceremonial, megjithatë mu kjo mund të jetë dëshira e VMRO-së për të shkaktuar trazira dhe ndërkohe presidenti të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Sigurisht se ketë periudhë do të rritet presioni i faktorit ndërkombëtar për shkak se nuk ka ndonjë veprim burrështetas nga aktoret politik”, tha për Lajm politikologu Bashkim Bakiu.

Nga këndvështrimi i Bakiut esenca nuk është kriza të vazhdohet, por të thellohet për t’u shmangur çdo kujtesë rreth rasteve të PSP-së dhe krijim i një problemi të ri.

“U paralajmruan situata si në Belgjikë, por fatkeqësia është se as Maqedonia s’është Belgjikë e as maqedonasit nuk janë flaman. Periudhën në vijim do të rritet presioni i BE-së dhe SHBA-së, që mendoj se do ndikoj te Ivanov për të ndryshuar vendimin”, përfundoi Bakiu.

Ndryshe, Albert Hani, njohës i rrethanave politike në vend mendon se kriza politike u shndërrua në krizë ndëretnike. Ai shpreson që e njëjta të mos marrë drejtim ndërfetar, ku asnjë nuk din se si ti menaxhoj punët.

“Shqiptarët edhe një herë po instrumentalizohen për ta mbuluar krimin e një grupi të vogël pengmarrësish të shtetit. Përndryshe, shteti dhe kombi , qoftë ai maqedonas ose shqiptar, u privatizua dhe u partizua. Ky është konflikt intra-etnik, kryesisht mes dy blloqeve etnike Maqedonase, por siç duket toleranca e tepruar e shqiptarëve len hapësirë që të rimëkëmbet nacionalizmi etnocentrik i komunitetit maqedonas. Në vend se të përdoret mundësia e dhënë nga votuesit për hapje të shtigjeve drejt qytetërimit të tërësishëm të Maqedonisë ato, çdo betejë, të çfarëdo natyre, po e kthejnë drejtë atyre që janë më tolerant dhe jo drejtë atyre që me të vërtetë i krijojnë kokëdhimbjet dhe problemet thelbësore të Maqedonisë: gjuha, kisha, emri dhe territori. Prandaj, jam i bindur se kësaj radhe të gjithë bashkërisht duhet t’i themi zëshëm popullit maqedonas se nuk duam të jemi fajtor kryesor për pakënaqësinë e tyre, por edhe se, nuk duam më të jemi anije për shpëtim nga krimi. Ne e duam shtetin, ai është i joni aq sa është i tyre. Nuk kërkojmë gjë nga ato përveç kuptimit se duhet të jemi të barabartë”, sqaroi për Lajm Hani.

Sipas tij, kryetari i shtetit është një injorant i paparë, i cili aspak nuk i kupton konceptet gjeopolitike dhe mundësinë e madhe që Maqedonia të shndërrohet në një fushëbeteje e forcave të mëdha.

“Ai jo vetëm që në mënyrë flagrante dhe me vetëdije po e thyen Kushtetutën, por edhe po pasqyrohet para botës si turp i demokracisë dhe zhvillimeve progresive mbarë botës. Poashtu, me keqardhje po konstatoj për fund, se më vjen shumë keq që shqiptarët i japin shkaqe banale etnocentrizmit maqedonas”, përfundoi Hani.

Partitë politike tashmë me linja të kuqe

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë thonë se tani kur Gruevski duhet të pranoj faktin se është defaktorizuar, se ka humbur pushtetin për shkak se rreth 700.000 mijë qytetarë u deklaruan kundër politikave të tij që janë destruktive, të dëmshme, politike kriminele, ai gjen arsyetime për thellim të krizës politike.

“Atë që ai po e bën janë lëvizje të një politikani të dëshpëruar I cili e dinë se proceset demokratike sjellin jetë për të gjithë, jo vetëm për familjen e tij, për shkak se nuk do të ketë më kontroll ndaj jetës së qytetarëve dhe për veprat kriminele që i ka bërë dhe për të cilat duhet të jap llogari”, thuhet në reagimin e LSDM-së, transmeton SHENJA.

Sipas tyre Gruevski dhe bashkëpunëtorët duhet të tërhiqen nga provokimet dhe dhuna që po e nxisin dhe të lejojnë transferim të qetë të pushtetit.

Lëvizja Besa vazhdon ta përkrah platformën shqiptare. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani njoftoi se kjo parti vazhdon të jetë mbështetës e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare dhe se ata ende të përkushtuar në zbatimin e saj.

“Qëndrimi i Lëvizjes Besa rreth deklaratës së përbashkët të partive shqiptare nuk ndryshon. Ne edhe më tej mbetemi mbështetës të saj dhe tërheqja prej saj mund të ndodh vetëm me qëndrim të përbashkët të partive që e mbështesin atë, por ne edhe më tej mbetemi të përkushtuar në zbatimin e saj”, ka thënë Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

“Nuk ekziston arsye e vërtetë që të garantohet pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv të partisë e cila do të merrte shumicë votash nga votat shqiptare”, është konstatuar në në mbledhjen e fundit të Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së.

Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov publikisht ka deklaruar se nuk i jep mandatin asnjë partie politike që ka ndërmend ta përfshijë Platformën e partive politike shqiptare në Qeverinë e re.

Enjoyed this video?
Thellimi i krizës politike u ndihmon atyre që duan të ikin nga drejtësia
"No Thanks. Please Close This Box!"