Trupat e NATO-s të stacionohen menjëherë në Shkup dhe Kumanovë!

Published on 03-03-2017

NATO

Shkruan:Fadil LEPAJA

Hyrja emergjente e trupave të NATO-s në Kumanovë dhe në Shkup, është e domosdoshme që të evitohen fërkimet ndëretnike dhe të shuhen përpjekjet luftënxitëse në Maqedoni, dhe kështu të ruhet esenca e asaj çka po ndodhë në Maqedoni , që është përballja e qeverisjes me procesin e dekriminalizimit..

Ky nuk është një shkrim për sportin,  për futbollin. Fatkeqësisht, politika e ka marrë vëmendjen e të gjithë tifozëve. Politika e konflikteve është ringjallë nga vet Maqedonia zyrtare, për të evituar të paevitueshmen , e që është  përballja e klasës së korruptuar skajshëm , me qytetarët e vet dhe me ligjin. Fitorja e reformuesve në Maqedoni, paraqet dominon e parë që po bjen në procesin e dekriminalizimit në rajon. Përpjekja që krejt këtë me e shëndrrue në diçka tjetër pra në një konflikt ndëretnik, varet prej durimit të shqiptarëve dhe urtisë së politikës shqiptare.

Ardhja e pritshme e LSDM në pushtet për shumëkënd në Maqedoni paraqet kurorëzimin e angazhimit disavjeçar për dekriminalizim dhe në këtë rrafsh është krejtësisht e qartë përse VMRO dhe presidenti aktual, duan të e bllokojnë këtë proces të ndërrimeve në qeverisje e cila me shumë gjasë një pjesë të zyrtarëve aktual që shpërdoruan buxhetin e shtetit, do të i qonte prapa grilave.

Në këso rrethanash letra e  frikës ndëretnike dhe luftës madje ka mbetur e vetmja në tavolinën e rrezikuar të pushtetit. Nxitja e këndezëve në një luftë metaforike  kundër shqiponjave, lëshon në etër edhe nevojën e ndërhyrjes nga jashtë për të mbrojtur këndezët. Kështu duket të jetë kurdisur loja.

Qëndrimi i matur i BDI, dhe partive të tjera shqiptare,  me apele që kriza institucionale të mos shëndrrohet në krizë ndëretnike është një ftesë e arsyeshme që qytetarët të mos përfshihen në këtë skenar lufte. Kur konflikti politik përfshinë edhe qytetarët ai bëher lehtë i manipulueshëm dhe vështirë i kontrollueshëm. Urtia shqiptare është e domosdoshme. Kapacitetet e këndezëve, nuk janë të atilla që rrezikojnë qenien shqiptare, prandaj paniku që po përhapet ndër shqiptarë është i paarsyeshëm dhe qëllimkeq. Në shtetin Maqedon nuk ka kapacitete të cilat i detyrojnë shqiptarët të pranojnë diskriminimin, prandaj politika shqiptare atje bënë mirë që angazhimin për barazi të qytetarëve përpara ligjit, të e ndajë nga lufta për dekriminalizim, nga e cila janë shqetësuar pushtetarët aktual. Esenca e konfliktit në maqedoni nuk është ndëretnik, por qytetarët maqedon , po bëjnë me vite përpjekje për dekriminalizim dhe orientim euro-atlantik përkundrejt  një qeverisjeje lindore dhe të korruptuar. Në panikun që e ka kapluar, qeverisja në largim po përpiqet me e ndezë zjarrin të cilin pretendon se vetëm ajo mund të e kontrolloj.

Qëndrimi anash i fatorit shqiptarë, dhe përkrahja e proceseve euro-atlantike të LSDM e ka tronditur bazën e qeverisjes diskriminuese dhe korruptive.

Në rrethana të tilla, kur qeverisja e rrënuar maqedonase po përpiqet me i hapë derën kaosit dhe fuqive anti perëndimore, vetëm për të mos u përballë me ligjin, vetëm NATO mund të garantoj  ruajtjen e Maqedonisë. Avanturat e VMRO dhe presidentit Ivanov, po e dërgojnë vendin buzë humnerës së konfrontimeve ndëretnike dhe të përzierjes së gjithë akteve të cilët deri tani po luanin nën tryezë.

VMRO ka vendosur alternativë të papranueshme në Maqedoni: Ose vazhdimi i diskriminimit të shqiptarëve ose ndarje e Maqedonisë. Duke e kopijuar retorikën serbe të dikurshme, po ndjellin pasojat e njëjta. Kjo politikë e nxitjes së konfliktit përmes bandave të huliganve ( operativëve të veshur civil) në aksione ndaj qytetarëve shqiptarë, në dukje krejt të rastësishme, po i forcon në skenë shqiptarët radikal dhe po i bënë të rihapin llogoret e luftës dhe të rikrijojnë vijat e brendshme etnike në Maqedoni.

Nuk është se shqiptarët nuk kanë alternativën e vet, por politika zyrtare shqiptare, në rajon ka përkrahur  projektin euro-atlantik për Ballkanin,  dhe ish –Jugosllavinë, që do të thotë të pranojë kufijtë e ish njësive federale të ish-Jugosllavisë. Nëse lëvizin këta kufij, kufijtë e ri i vendosë lufta.

Kjo politikë zyrtare e shqiptarëve, e mbështetur vazhdimisht nga  fuqitë euro-atlantike, shpeshherë është cilësuar gabimisht si qyqarëllëk i shqiptarve apo gatishmëri me e pranue nënshtrimin, por në fakt ajo paraqet  vetëdijen se Ballkanin vetëm  marrëveshjet dhe bashkëpunimi e shpëtojnë nga humnera që po u pregaditet popujve të regjionit. Vetëm një politikë e tillë shqiptarët i fuqizon në regjion.

Me motive të njëjta po krijohen dhe po ushqehen krizat  rreth kufirit me Malin e Zi dhe ajo rreth asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Prezenca e NATO-s në Kosovë, ka bërë që këto të kalojnë pa eskalime të mëdha, por duket se vendosja  e trupave të NATO-s edhe në pjesën malazeze të kufirit me Kosovën mbetet i domosdoshëm për të garantuar mos-përzierjen e faktorëve luftënxitës në atë nyje të rëndësishme.

Krizat në regjion, janë të gjitha të ndërlidhura me fije  tani për tani të padukshme të cilat në të shumtën e rasteve tërhiqen nga duar të padukshme, por në fakt, janë  pasqyrime të dy strategjive  për Ballkanin, dhe luftë  për evropianizimin apo pengimin e  këtij procesi në regjion.

Në këto rrethana paniku dhe urrejtja për fqinjët është aleati më i keq. Pavarësisht interesave të jashtme,  popujt e Ballkanit do të jetojnë këtu me shekuj, dhe do të ndërrohen vetëm konjukturat.

Enjoyed this video?
NATO
"No Thanks. Please Close This Box!"