Trupi i pajetë i Bajram Rexhepit, në një Kuvend të vdekur

Published on 22-08-2017

Nga: Berat Buzhala

Domethënia e aktit të sotëm nuk do të mundë të ishte më adekuate sesa kaq.
Gjashtëmbëdhjetë vjet kanë kaluar prej kohës kur Rexhepi ishte zgjedhur kryeministër i vendit në mënyrë konsensuale, kurse vendi ynë, prej atëherë, nuk ka lëvizur përpara, që të mos themi, po bëjmë hapa prapa. Progresi ynë politik po matet me bllokada e me militantizëm, e jo me tolerancë e bashkëpunim.

Kjo është e kundërta e kujtimit që kemi për Rexhepin. Ai ishte zgjedhur kryeministër në një situatë tepër të rënduar politike. LDK-ja dhe ish-Presidenti Rugova, fitues absolutë të zgjedhjeve, assesi nuk dëshironin që ta nderonin me postin më të lartë ekzekutiv kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin. Në të njëjtën vijë të mendimit ishte edhe bashkësia ndërkombëtare. Edhe ajo dëshironte që Thaçin ta linin në bankën rezervë, deri në një kohë më të përshtatshme, derisa ai të disiplinohej. Mirëpo, kur ishim vetëm dy vjet larg nga lufta, kur anekënd Kosovës po kryheshin vrasje të ndryshme politike – të pazbardhura – të gjithë ishin të mendimit që forcat kryesore politike në vend nevojitej, për të mirën e vendit, që të punonin së bashku. Për Rugovën nuk kishte dilema atëbotë. Edhe i kishte fituar zgjedhjet bindshëm, e edhe nuk konsiderohej politikan polarizues. Nevojitej një i tillë, ose përafërsisht i tillë, edhe në kampin tjetër, në atë të luftës. Duhej dikush që edhe të vinte nga UÇK-ja, por edhe që të ishte i gatshëm të ulej me kundërshtarët politikë, pa i vajtur në mendje vrasja e tyre.

Pas kaq vitesh nuk mund të them me siguri të plotë, nëse kisha dëgjuar më parë për Bajram Rexhepin, apo, thjesht, emrin e tij e mësova kur u bë publik në media se, haleluja, u zbulua edhe në radhët e PDK-së, një njeri me kredenciale normale për kryeministër të vendit. Aspak të lehtë s’e kishte. Ishte vënë në sandviç të dy figurave të fuqishme politike të LDK-së, Rugovës popullor dhe Dacit arrogant, në njërën anë, e pastaj edhe në sandviçin e brendshëm të PDK-së, duke e pasur mbi kokë liderin e partisë, z. Thaçi, i cili e përcillte me llupë secilën lëvizje të tij.

Të mos keqkuptohemi, ajo qeveri në atë kohë ka qenë më shumë një test, sesa një qeveri e vërtetë. Roli i saj praktik ishte teatror, më shumë sesa vendimmarrës. Kompetencat reale ekzekutive i kishte UNMIK-u, ato të sigurisë edhe KFOR-i. Qeveria ishte formuar më shumë për t’i ulur në një vend palët e armiqësuara në Kosovë, sesa për të kryer ndonjë punë në terren. Gjithashtu, ishte edhe një test serioz për t’i parë se si do të bashkëpunojnë në mes vete shqiptarët dhe serbët. Kaq ishte roli i qeverisë “Rexhepi”.

Të dy këto teste i kishte kaluar. Ai pa asnjë kompleks komunikonte normalisht me zyrtarët e LDK-së, Dacin dhe Rugovën, siç edhe bënte me minoritarët serbë, nëse ishte nevoja edhe në gjuhën serbe. Kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë. Hendeku politik ishte shumë më i thellë, e shumë më kërcënues, sesa mund të paramendohet prej perspektivës së sotme. Po flasim për një periudhë kohore kur politikanët vriteshin para shtëpive të tyre, për një periudhë kur disponimi për eskalim të konfliktit ndëretnik ishte maksimal. Shqiptarët ende po kullonin gjak, ende po i mblidhnin kufomat e më të dashurve të tyre të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa serbët assesi nuk donin të pajtoheshin për të jetuar në një shoqëri të dominuar nga shumica shqiptare, të cilët deri dje konsideroheshin qytetarë të rendit të dytë.

Barrën kryesore për të qetësuar gjakrat e kishte, dhe e mori, Rexhepi. Rugova ishte jashtëzakonisht steril dhe, pothuajse, i painteresuar për problemet tokësore. Roli i tij ishte më shumë profetik, sesa i një politikani të zgjedhur. Paraqitjet e tij mediale ishte tepër të rralla. Ai edhe kur shfaqej fliste në mënyrën më të përgjithshme të mundshme. Madje fliste edhe për progres të jashtëzakonshëm të Kosovës. Ishte optimist irracional. Në anën tjetër, Nexhat Daci, si kryetar i Kuvendit të Kosovës, përpiqej të dominonte në mënyrë akademike. Meraku i tij ishte protagonizmi dhe popullizmi. Fitonte simpatitë e qytetarëve duke kritikuar bashkësinë ndërkombëtare, që, sipas tij, kishin ardhur në vendin tonë për shkak të restoranteve dhe femrave. Të dyja këto të pavërteta, por që për shkak të një lloj depresioni që e kishte kapluar vendin, qytetarët dëshironin t’i besonin, sepse po kërkonin një kurban. Sigurisht që Daci nuk hezitonte as t’i fajësonte serbët për çdo dështim tonin.

Në një situatë të tillë, shpresat për një politikan normal, që nuk është akademik, që nuk është as profet, ishin varur te Rexhepi. Ishte ky që dilte në terren, që takonte qytetarët, që fliste për paqe dhe bashkëjetesë. I kalonte me humor edhe situatat e komplikuara, sikur që ishte rasti me plakën. Ndërsa, ishte treguar lider i vërtetë kur në protestat e dhunshme të vitit 2004, i kishte dalë turmës përpara, për ta penguar që të avanconte drejt vendbanimeve serbe. Kishte treguar guxim të paparë. Askush nuk mund ta paramendojë se çfarë do të kishte ndodhur, sikur Rexhepi të mos i kishte ndalur ata mijëra veta që po shkonin drejt Çagllavicës dhe Graçanicës me synime të qarta: për të vrarë dhe për të djegur. Të tjerët politikanë qenë zhdukur. Askush nuk dëshironte të dukej në opinion që po mbronte serbët, të cilët dyshoheshin se kishin vrarë dy fëmijë shqiptarë në veri të Kosovës, përveç Bajram Rexhepit.

Ajo çfarë kishte bërë Rexhepi atë ditë, është në fakt ajo çfarë bëjnë liderët për popullin e tyre. Nuk kalkulojnë, e as nuk konkurrojnë, për poenë të lira politike, kur bëhet fjalë për një kauzë më të madhe. Ata nuk shkojnë pas popullit, por i dalin popullit përpara. Ata nuk ndjekin, por prijnë.

Bajram Rexhepi, bashkë me Ibrahim Rugovën, në histori do të mësohen, siç mësojnë popujt tjerë për etërit themelues të shteteve të tyre. Kuptohet, roli i Rexhepit nuk është sa ai i Rugovës. Ky i fundit e kishte fatin që të ishte shumë më gjatë në karrigen e parë. Mirëpo, për aq kohë sa kishte qëndruar në karrigen e parë, Rexhepi kishte “vozitur” mjaft mirë, në një terren me gropa e të rrëshqitshëm tej mase.

Për rolin e Bajram Rexhepit në kohërat më të vonshme, qoftë si ministër, qoftë si kryetar i Mitrovicës, mund të diskutojmë shumë më gjerësisht. Por mund, dhe duhet, të konstatojmë lirisht se Bajram Rexhepi si lider ishte shumë më i mirë sesa si pasues. Qëllimet e tij ishin të mira. Përveç tjerash që u thanë më lart, Bajram Rexhepi ishte themeluesi i konceptit të qeverisjes së përbashkët. Ai nuk ishte militant, por ishte bipartizan. Kosova sot e kësaj dite nuk po mund t’i tejkalojë ato telashe që ishin tejkaluar në periudhën 2001 – 2004.

Atij sot po i bëjnë homazhe politikanët që çdo ditë e më tepër me lopatat e tyre po e thellojnë gropën në të cilën jemi futur, e nga e cila kishim dalë në vitin 2001.

Kuvendi, ku ndodhet trupi i pajetë i Rexhepit, përveç që është i vdekur, ai edhe kundërmon.

Enjoyed this video?
download (1)
"No Thanks. Please Close This Box!"