Ukrainasit pa viza, Kosova me viza e si të mos flasësh ndaj BE-së?!

Published on 12-05-2017

Ukraina nuk kontrollon territorin e saj jo për faj të saj, por të Rusisë, shtet i mbështetur te një popull që kurdoherë synon toka të të tjerëve. Shqipëria, Kosova, shqiptarët jo…

Denion Ndrenika

Bashkimi Europian vendosi të lehtësojë regjimin e lëvizjes pa viza apo shkurtimisht siç njihet “të heqë vizat” për Ukrainën që nga 11 qershori.

Domosdoshmërisht, padyshim që vendimi për ata të gjorë ukrainas është tepër i dëshiruar.

Asnjë vendim që cenon lëvizjen e lirë nuk do ta vlerësoja.

Mirëpo, qëllimi për këto pak radhë është tjetërkund. Qëllimi është të tregoj se përse nuk vlerësoj Bashkimin Europian.

Nëse do të përdorja gjuhë rruge, padyshim që cilësimet “i ndyrë”, “ndarës”, “dashakeq”, “palaço”, “dyfytyrësh” a të tjerë, druaj se nuk do të ishin të pamerituar për tërë BE-në, për shtetet e tij veç e veç e vështirë të ndahej për zyrtarët.

Ka kritere jo pak të rëndësishëm që ndikojnë në vendimmarje të këtilla, si për heqjen e vizave, nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, hapjen e negociatave dhe datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Janë dialogu i brendshëm dhe i jashtëm, siguria e kontrolli i kufijve, identifikimi i popullatës me mekanizma ligjorë si për veprimtaritë kriminale, krimin e organizuar, dokumentat biometrikë, paqja dhe mirëshkuarja me fqinjët, bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe me Gjykatën e Hagës për luftërat në Ballkan, mosdallimi dhe respektimi i pakicave dhe fesë.

Ukraina nuk kontrollon territorin e saj jo për faj të saj, por të Rusisë, një shteti të mbështetur te një popull që kurdoherë synon toka të të tjerëve.

Ukraina humbi Krimenë prej pushtimit rus, pjesën lindore e ka të pushtuar, por ende të pashkëputur e bashkuar me Rusinë.

Pyetja e parë është përse Kosovës nuk iu hoqën vizat, pse nuk i lejohet lëvizja e lirë?

Përse Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës gjithashtu edhe më parë iu vonua heqja e vizave, statusi “kandidat”, Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, hapja dhe data e negociatave të euroanëtarësimit?

Disa parime janë të thjeshta. Dyshimet ndoshta lidhen me një pjesë të popullatave me përkatësi myslimane dhe veçanërisht sepse janë shqiptarë.

Ka edhe parimin tjetër të fqinjësisë së mirë, të kontrollit të kufijve, të dialogut të brendshëm e të jashtëm.

Kosova shkon mirë me fqinjët. Edhe me ata që e kanë masakruar si krahina madhore e Shqipërisë Verilindore, sllavët.

Kosova ka dialog me shtetin dhe popullin serb me sjellje kriminale të pandryshueshme prej qindra vjetësh.

Kosova, qytetarët e saj, kanë lëvizur lirshëm e pa viza në kohërat e kolonizimit serbo-jugosllav.

Kosova ka marëdhënie normale me shtetin e maqedonasve që gjithashtu i sheh dhe trajton shqiptarët si vandalë, si kriminelë, i lë pa shkollë, pa punë, i arreston, burgos, dhunon, u ndal ose ua tjetërson apo gjymton simbolet dhe çdo të drejtë tjetër.

Kosova nuk ka asnjë problem me Shqipërinë shtetin, të cilit i përket historikisht dhe shprehur edhe mbi bazën e vendimeve të kuvendeve madhorë të pashfuqizuar kombëtarë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të 10 Qershorit 1878 dhe Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912.

Kosova është në proces dialogu me Malin e Zi për përcaktimin e kufirit, apo demarkacionin, ndonëse me mospajtime të brendshme që nga opozita shihet si falje e 8-12 mijë hektarëve tokë.

Ngjashëm ishte me maqedonasit kur Kosova humbi 2500 hektarë në rajonin e Debëlldesë.

Kosova e ka mirë me Bosnje e Hercegovinën, por qeveria në Sarajevë nuk e njeh sepse ndjek çdo gjë që i vjen nga Beogradi.

Kosova e kontrollon territorin e saj, pavarësisht pengesave nga Serbia që thuajse nuk respekton asnjë nga 17 marrëveshjet ose i zbaton me copa, të arritura me ndërmjetësimin e njëanshëm të Bashkimit Europian, natyrisht në favor të Serbisë.

Po pse nuk i hiqen vizat Kosovës dhe i vendosen kushte rrugës plot padrejtësi për ta marrë këtë vendim BE-ja?

Pse, kur Kosova kontrollon kufijtë e saj dhe shtrin autoritetin në të gjithë territorin, në bashkëpunim me çdo faktor ndërkombëtar ushtarak dhe civile, duke respektuar secilën marrëveshje, nuk ka probleme me fqinjët, është në dialog me fqinjët, nuk i dhunon fqinjët, i njeh fqinjët edhe pse ka fqinjë që nuk e njohin dhe e nëpërkëmbin, qytetarët e saj kanë lëvizur hershëm lirshëm?

Përpara se të përgjigjem, shtoj edhe Shqipërinë. Shteti i maqedonasve në pranverë 2001 nuk kontrollonte dikund te 60-70 për qind të territorit, por Bashkimi Europian firmosi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim.

Pra, që do të thotë “stabilizim” që nuk e kishte dhe pastaj “pjesëmarrje”, “asociim”.

Maqedonasve u mungonte dialogu politik, aq më tepër me shqiptarët e Shqipërisë Lindore që jetojnë si popullatë etnike në tërë territorin perëndimor-qendror (Ohër-Strugë-Tetovë-Kumanovë-Shkup-Manastir).

Kurse, Shqipëria nuk e kishte këtë problem, e kontrollonte territorin dhe nuk mbartte asnjë shqetësim me ca dhjetëra pjesëtarë të paktë joetnikë grekë, maqedonas apo malazezë, por MSA-në nuk ia ofruan deri në 2006.

E tash, pra radha e Serbisë.

Hapi katër luftëra në vitet ‘90, vrau e ushtroi genocid, masakra, dëbime, dhunë ndaj të gjithëve, që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje e Hercegovina, Kosova (Shqipëria Verilindore), Lugina e Preshevës (Shqipëria e Epërme Verlindore), pengonte dhe pengon malazezët të pavarësoheshin e të jetojnë të pavarur, u bën probleme me njohjen e kishës së tyre ortodokse veç malazezëve, edhe maqedonasve, por vizat BE-ja ia hoqi më përpara se Shqipërisë?!

Serbia, një shtet që ka vrarë kryeministrin e saj (Zoran Gjingjiq) dhe ka zhdukur presidentin e saj (Ivan Stamboliq), në kohën kur nuk bashkëpunonte me Gjykatën e Hagës, pati lirshmëri, kur pengon dialogun dhe marrëveshjet me Kosovën, merr datën e negociatave, më parë edhe MSA-në e statusin “kandidat”.

Shqiptarët kudo jetojnë në asnjë rast nuk kanë ushtruar asnjë lloj dhune ndaj fqinjëve, madje u kanë dhënë të drejta jo vetëm më të mëdha se duhet, por shpesh edhe që nuk i meritojnë, pasi janë bërë prè e genocidit dhe masakrave të tyre.

Çdo udhëheqës shqiptar kudo që jeton, shqiptarët në tërësi, u janë bërë “urë” europianëve dhe ua kanë plotësuar pothuajse të gjitha ç’kanë kërkuar edhe duke qenë jashtë parimeve, ligjeve dhe Kushtetutave, edhe ndërhyrje të qarta dhe kushtëzime.

Krejt në fund, po bëj atë që bëj shpesh, saktësimin në këto kohëra etiketimesh “terrorist” apo “islamik”, që unë jam ortodoks me përkatësi, por agnostik në sjellje (pranim i përkatësisë, por jo praktikant apo besimtar, nëse jam i saktë).

E mbi këtë nuk më pëlqen fare të mendoj se përkatësia myslimane dhe qenia agnostikë e një pjese të popullatës shqiptare, është shkak se përse Shqipërisë nuk iu hoqën vizat së paku në të njejtën kohë me Serbinë dhe maqedonasit kur kriteret i kishte të përmbushura, iu vonua MSA-ja, statusi “kandidat” dhe i është gjetur gozha e Nastradinit për të mos i dhënë as hapjen dhe as datën e fillimit të negociatave me BE-në dhe për në BE, sikurse Demarkacioni me Malin e Zi për Kosovën.

Ndaj, duke renditur tërë këto, dyshoj shumë se cilësimet e marra prej fjalorit të rrugës, BE-ja dhe tërë zyrtarët e saj, i kanë të pamerituara.

Enjoyed this video?
denion
"No Thanks. Please Close This Box!"