Xhaferi i nis letrën e dytë Ivanovit për dhënien e mandatit

Published on 14-05-2017

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i ka nisur një letër të dytë presidentit Ivanov, përmes së cilës i kërkon mandatimin e kreut të shumicës së re parlamentare, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re.

Por, nga ana tjetër, duket se Ivanovi nuk është ende i gatshëm t’i japë mandatin Zoran Zaevit.

Në njoftimin e publikuar nga Presidenca thuhet se Ivanov i qëndron vendimit të tij se e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”, por edhe çdo dokument apo veprim tjetër kundër Kushtetutës së Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht apo bazë për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

“Në lidhje me dhënien e mandatit, Presidenti i Maqedonisë do të veprojë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me praktikën e vendosur deri më tani”, thonë nga kabineti i Gjorge Ivanovit.

Por nga partia e Zaevit, LSDM, thonë se “zhbllokimi i proceseve demokratike në Maqedoni është i patjetërsueshëm, ndaj dhe presidenti Ivanov duhet t’i japë menjëherë mandatin për formimin e qeverisë kreut të partisë, Zoran Zaev. Për shkak të bllokadës së proceseve demokratike, Maqedonia po përballet me probleme, të cilat po dëmtojmë qytetarët dhe të gjithë sistemin shtetëror”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Por VMRO-ja e Nikola Gruevskit vijon të këmbëngulë se, mosdhënia e mandatit ndaj udhëheqësit të socialdemokratëve bëhet për mbrojtjen e interesave kombëtare. /albeu.com/

Enjoyed this video?
talat-xhaferiiii-480x400
"No Thanks. Please Close This Box!"