Zgjedhjet lokale, partitë nisin promovimin e kandidatëve

Published on 02-09-2017

Ka mbetur edhe një javë deri te shpallja përfundimtare e listës kandidatëve për zgjedhje lokale në Maqedoni kurse partitë zyrtarisht ende nuk kanë publikuar listën me emrat e këshilltarëve dhe kryetarëve komunal të tyre.
Partitë zhvillojnë edhe konsultat e fundit për zgjedhjen e kandidatëve me të cilët do të garojnë për kryetarë të komunave dhe këshillat komunal. Partitë opozitare pritet të dalin me emra të rinj, ndërsa partitë në pushtet ka shumë gjasa të garojnë me bartësit e funksioneve partiake dhe të atyre në pushtetin ekzekutiv. Në kampin politik maqedonas beteja kryesore do të zhvillohet në kryeqytet ku VMRO-DPMNE pritet të garojë me kryetarin aktual, Koce Trajanovskin, ndërsa LSDM sipas burimeve jo zyrtare më shumë gjasa ka të nominojë deputetin Petre Shilegov. LSDM ka shpalosur kandidaten për kryetare të komunës së Haraçinës, Melikije Halimi.
Partitë shqiptare në këto zgjedhje duket që janë të përqëndruara në të gjitha qytetet pasi në të gjitha hyjnë me gjasa të barabarta dhe në to fituesi pritet të përcaktohet në rrethin e dytë. BDI në disa komuna ka vendosur që të garojë me kryetarët aktual. Pas Fatmir Deharit në Kërçovë, BDI ka zyrtarizuar edhe rikandidimin e Nevzat Bejtës në Komunën e Gostivarit.
Burime partiake gjithnjë e më shumë flasin edhe për rikandidimin e Teuta Arifit në Tetovë edhe pse në këtë komunë ka edhe kundërkandidat të tjerë. Në komunën e Çairit, BDI do të kandidojë zëvendës ministrin e arsimit Visar Ganiun, ndërsa në komunën e Sarajit, ish ministrin e drejtësisë Blerim Bexhetin.
Partitë e tjera shqiptare ende nuk kanë bërë publike emrat e kandidatëve, ndërsa mësohet se në të gjitha komunat ka disa emra për të cilët diskutojnë organet partiake dhe degët e tyre.
Por afatet për zgjedhjen dhe zyrtarizimin e kandidaturave ngushtohen gjithnjë e më shumë. Më 9 shtator përfundon edhe afati për kontrollin publik të listës së votuesve. Aktualisht rrjedh edhe afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur e që do të përfundojë më 4 shtator. Fushata Zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale fillon më 25 shtator dhe përfundon më 13 tetor në orën 24. Ndërkaq, fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor 2017 në orën 24. Ndërkohë që zgjedhjet e rrethit të dytë mbahen më 29 tetor.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

Enjoyed this video?
zgjedhje
"No Thanks. Please Close This Box!"